KQZ-ja certifikon listën e votuesve në veri, të drejtë vote kanë 57 mijë e 983 persona

Prishtinë | 13 Maj 2019 | 13:13 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat do të mbahen më 19 maj, raporton Ekonomia Online.

Të drejtë vote kanë 57 mijë e 983 emra të votuesve, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Në Leposaviq kanë të drejtë vote 18 mijë e 164 votues; 18 qendra të votimit; 31 vendvotime; në Zubin Potok: 8 mijë e 535 votues; 12 qendra të votimit; 16 vendvotime; në Zveçan: 9 mijë e 229 votues; 7 qendra të votimit; 13 vendvotime dhe në Mitrovicë e veriut: 22 mijë e 055 votues; 7 qendra të votimit; 27 vendvotime.

KQZ-ja ka shqyrtuar dhe miratuar numrin e fletëvotimeve për për kryetar në komunat e veriut dhe Plani Operacional për ditën e zgjedhjeve.

Kryetarja Valdete Daka tha se në planin operacional duhet të ketë njoftime më të hollësishme edhe të informohen të gjithë për konferencat e mediave.

Sipas kryeshefit ekzekutiv të sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, konferencë për media ditën e zgjedhjeve do të ketë në ora 08:00, 11:30, 15:00 dhe pas përfundimit të procesit të votimit për rezultatet preliminare.

Në këtë mbledhje u kërkua që roli i OSBE-së në këtë proces të forcohet dhe të ketë bashkëpunim me të hapur me ta.

Gjithashtu është shqyrtuar dhe miratuar draft-vendimi për pagesat e Komisionarëve në Vend Votime dhe stafit teknik për Qendrat e Votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme për 4 komunat e veriut.

Halimi, tha se pagesat janë të njëjta siç kanë qenë edhe në zgjedhjet e kaluara.

“Shumat kanë qenë të planifikuara nuk ka pasur ndryshime si në zgjedhjet e kaluara, është vendim në përputhje me projektimet buxhetore në fillim”, tha Halimi.

Përderisa sot ka nisur fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit e që do të zgjasë deri më 17 maj.

KQZ-ja ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, raporton EO.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Image
https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/1143843359127453/

Të ngjashme