Krasniqi e Nismës debaton me Osmanin: Mund të jem deputete pa Grup Parlamentar, por jo pa parti politike

Prishtinë | 18 Sht 2020 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Nisma Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi ka reaguar pas prezantimit që ia bëri kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në dhënien e fjalës gjatë seancës së sotme pasi nuk ia përmendi emrin e partisë së saj.

Krasniqi tha se edhe pse Nisma Socialdemokrate ka mbetur pa Grup Parlamentar, ajo i përket kësaj partie, emrin e së cilës kërkoi nga Osmani t’ia thoshte.

Mirëpo reagimi i menjëhershëm ishte nga Osmani e cila tha se nuk është çështje e deputetes për ta vlerësuar këtë, pasi siç tha ajo ekzistojnë disa rregulla në Kuvendin e Kosovës.

“Nga grupi parlamentar…Faktikisht një deputete pa grup e kemi, Arbëreshë Krasniqi. Nuk është çështje për ty ajo punë. Ekzistojnë disa rregulla në këtë kuvend, nuk keni grup Grupi Parlamentar zonjë…”, ka thënë Osmani.

Por Krasniqi ia ktheu duke i thënë se mos të ketë komplekse dhe stres, dhe se mund t’ia përmend emrin e partisë nga e cila vjen ajo.

“Nëse po të pengon emri Nisma Socialdemokrate ke mundur të thuash emër dhe mbiemër. Kryetare pa kompleks, pa stres. Nuk e kemi ne atë problem. Na jemi parti socialdemokrate, është shumë e pranueshme me qenë unë si deputete pa grup, ama jo pa parti politike. Çështja e grupit është e jona e jo e juaja. Megjithatë faleminderit”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa Osmani i tha se komplekse kanë ata, pasi nuk po munden t’i bëjnë gjashtë deputetë për formimin e Grupit Parlamentar.

Të ngjashme