Krasniqi-Hotit: Në Washington nuk nënshkruat marrëveshje por një letër A4 vet me veten

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 20:27 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi ka folur gjatë debatit që po zhvillohet në Kuvend për dialogun në Washington, duke thënë se nuk mund të quhet takim historik për Kosovën, por vetëm për fotografimin e kryeministrit Avdullah Hoti.

Krasniqi po ashtu kritikoi Qeverinë Hoti për numrin e madh të zyrtarëve që udhëtuan për SHBA, raporton Periskopi.

“Shumica e deputetëve e thanë që ka qenë një takim historik, ka qenë takim historik për juve kryeministër, fotografia ka me ju nderu tanë jetën dhe prezenca në zyrën Ovale, për juve, por jo për historinë e Kosovës. Çka ka historike, nuk po muj me gjet, keni nënshkrun një fletë A4, por nuk keni arritë marrëveshje, edhe vet keni deklaruar që nuk është marrëveshje. Qysh munet me kanë historike, kur se ka vulen e Kuvendit”, tha Krasniqi.

“Pse bre shkuat kaq shumë me delegacion, une personalisht jam ndje keq kur ju kom pa ashtu, sepse u dokshi si përfaqësues të fiseve e jo të shtetit”, ka thënë ai në Kuvend.

Tutje Krasniqi ka folur edhe për mosbesimin që kanë partnerët e koalicionit ndaj Hotit, duke thënë se iu ‘dërguan njerëz për të parë se mos po gaboni’

“A ju kanë çu njerëz që mos po gaboni apo po bëni ndonjë kompromis, sepse nuk po ju besojnë a çka, edhe shumica metën në korridore, e me ba një selfie para Shtëpisë së Bardhë”, ka thënë ai.

Ai po ashtu e cilësoi si pozitive vet faktin që ky takim është mbajtur në Shtëpinë e Bardhë sepse sipas tij SHBA janë shtet mik i Kosovës, duke e ditur se dy kryeminisrat tjerë kanë rrezikuar marrëdhëniet me Amerikën.

Për paralajmërimin e Izarelit që do ta njoh Kosovën, sipas Krasniqit pa notë verbale nuk mund të thuhet se Izraeli ka njohur Kosovën si shtet, por vetëm është paralajmëruar.

Ai po ashtu ka kritikuar Hotin edhe për çështjen e Ujamanit dhe Mini-Shengenit si dhe tema të tjera që kanë qenë të përfshira në Marrëveshjen e Washingtonit.

Të ngjashme