Kryekuvendari Konjufca priti në takim ambasadorin japonez, Akira Mizutani

Prishtinë | 26 Maj 2021 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani.

Ambasadori Mizutani, pasi e ka uruar të parin e Kuvendit për marrjen e detyrës dhe konstituimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, ka shprehur gatishmërinë e Japonisë për vazhdimin e përkrahjes dhe bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve.

Nga ana e tij, kryekuvendari Konjufca ka vlerësuar lart marrëdhëniet e mira në mes të dy vendeve, duke e falënderuar Qeverinë e Japonisë për mbështetjen që i ka dhënë Republikës së Kosovës në procesin e shtetndërtimit.

Teksa e ka falënderuar për ndihmën e paradokohshme në pajisje mjekësore për luftimin e Covid-19, i pari i Kuvendit është shprehur në favor të thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, me theks të veçantë në investime ekonomike që mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme