Kryesia e LDK-së bën homazhe te varri i ish-presidentit Rugova, thonë se i janë borxhlinj

Prishtinë | 02 Dhj 2018 | 11:20 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesia e LDK-së ka bërë homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, në 74-vjetorin e lindjes së tij.

Me kurora lulesh, deputetë e anëtarë të kësaj partie kanë bërë nderime tek varri i ish-presidentit Rugova për të nderuar veprimtarinë e tij.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, tha se i janë borxhlinj kontributit të ish-presidentit Rugova.

“Jemi bashkërisht ne shumë aktivist të presidentit që ta kujtojmë jetën dhe veprën e tij, kontributi i tij për popullin shqiptar është i çmueshëm, ne jemi borxhlinj dhe gjithë jetën që ta kujtojmë”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Veliu ka vlerësuar lart figurën e Rugovës dhe në këtë ditëlindje të tij ka theksuar tipare të karakterit të tij si burrërinë, vendosmërinë dhe diplomacinë e urtësinë e tij me të cilat i bëri për vete popullin e Kosovës dhe gjithë botën.

“Rugova ishte Presidenti i parë i Kosovës, i cili ëndrrat shekullore të popullit për liri, pavarësi e demokaci i projektoi bukur dhe i udhëheqi ato deri në realizimin e tyre.
Padiskutim Ibrahim Rugova ishte arkitekt i pavarësisë së Kosovës”, ka thënë z. Veliu.

Kryesia e LDK-së, pas homazheve kanë vizituar edhe Familjen Rugova.

Në emër të Kryesisë së LDK-së ka folur sekretari i përgjithshëm, z. Ismet Beqiri i cili ka vlerësuar lartë punën, jetën dhe veprën e Presidentit Rugova.

Beqiri gjithashtu ka theksuar mungesën që ka lënë Rugova pas vdekjes së tij, sidomos në sfidat e sotme në të cilat po kalon vendi.

Fana Rugova ka falënderuar kryesinë e LDK-së për vizitën dhe ka falenderuar LDK-në për punën që është duke e bërë, partinë të cilën e themeloi Presidenti Rugova.

Presidenti i Kosovës, i cili mbeti në histori për politikën dhe vlerat e larta të tij, ka lindur më 2 dhjetor 1944 dhe ka vdekur më 21 janar 2006.

LDK: Përplasjet Thaçi-Haradinaj po e dëmtojnë vendin

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka komentuar përplasjet e fundit publike ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj rreth idesë për “korrigjimin e kufijve”.

“Kjo është për keqardhje sepse institucionet e Kosovës nuk janë duke kryer detyrat e tyre. Këto përplasje janë shumë të dëmshme për Kosovën të integrohet ashtu siç i ka synimet. Institucionet e kanë humbur kredibilitetin që ta udhëheqin vendin”, tha Veliu, i pyetur nga gazetarët.

” Institucionet vetëm me zgjedhje mund të bëhen, tjetër mundësi nuk ka”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme