Kurti: Drejtësi për Klodian Rashën do të thotë demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë

Prishtinë | 15 Dhj 2020 | 20:42 | Nga Ekonomia Online

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjes të Klodian Rashës, i cili u vra nga një polic në Tiranë, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se i ka ndjekur me vëmendje nga mediet protestat, duke theksuar se e ka ndjerë edhe në Prishtinë revoltën e të rinjve në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë.

“Thirrja “Drejtësi për Klodianin” ka bërë jehonë kudo mes shqiptarëve”, shkruan ai në profilin e tij zyrtar në rrjete sociale.

Tutje, Kurti tha se ata që janë në majë të pushtetit politik e shtetëror, biznesor e mediatik, tash e kanë momentin e fundit që të kuptojnë se shumëçka që është bërë gabim deri më sot, ka prodhuar zhgënjim të madh.

“Janë zhgënjyer qytetarët tanë, rinia jonë, siç janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve”, u shpreh ai.

“Revolta rinore mund të mos ketë patur fjalime të sofistikuara mirëpo ajo foli e po flet qartë. Bashkë me fenomenin tjetër, emigrimin masiv, këto revolta po japin mesazhin se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje”, tha ai tutje.

Kurti tha se Kosova është në të njëjtën pikë, por që këtu ende nuk ka shpërthyer revolta, sepse sipas tij është edhe një shpresë, duke iu referuar partisë së tij.

” Atë shpresë nuk do ta lëmë pa e bërë realitet”, tha lideri i VV-së.

“Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo”, u shpreh tutje ai.

Në fund, Kurti tha se drejtësi për Klodianin do të thotë drejtësi e demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme