Kurti në zbulimin e shtatores së Vokrrit: Kur Fadili hynte në 16 metërsh bëhej ose gol ose penalti

Prishtinë | 23 Kor 2021 | 18:37 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në zbulimin e shtatores së legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij, ai tha se për të është thënë shumë qysh kur u nda nga jeta, prandaj ai deshi që të flasë për të nga kujtimet e tij personale.

“Dua të flas siç e njoh dhe e mbaj mend unë. Një karrierë brilante në dy forma. Fillimisht, Fadilin e njogim si futbollist të talentuar e të suksesshëm që përgjatë viteve të 80-ta preku majat e suksesit në sport. Në po atë periudhë Fadili ishte krenaria e gjithë Kosovës. Atëherë kur në Kosovë ishin gjërat shumë të vështira, Fadili u shpall futbollisti më i mirë në Jugosllavi”.

“Kur e merrte topin afër 16 metërshit i gjithë stadiumi ishte në këmbë e kur shënonte të gjithë ishin në ajër. Kjo shtatore këtu është ai momenti kur Fadil Vokrri e merrte topin në 16 metërsh në shikimin drejt lojtarëve që do t’i driblonte dhe kur ai hynte në 16 metërsh bëhej o gol o penalti”.

Kurti tha se shtatorja e tij do të kthehet në vendtakim të sportistëve të rinj kosovarë dhe do të jenë një pikë vizitimi për ata të huajt.

Kurti ka vlerësuar lart kontributin e Vokrrit që dha për futbollin kosovar.

“Nëse gjeneratat e reja s’e mbajnë mend si futbollist, atë e mbajnë mend si iniciues i betejave të Federatës së Kosovës për pranim në UEFA dhe FIFA. Futbolli sot po na përfaqëson në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Ndërsa Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, në fjalën e tij gjatë zbulimit të shtatorës së legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, tha se ai nuk ishte vetëm i sportit, por edhe i dimensioneve të tjera të cilat i ka bërë në të mirë të shtetit.

I pari i FFK-së tha se Vokrri ishte mbreti i fushës së gjelbër.

“Këtu sot jemi për ta zbuluar këtë shtatore, me Fadilin tek gjithsecili prej nesh. Fadil Vokrri ishte mbreti i fushës se gjelbër siç e quajnë gjithë, por edhe ishte pronari i tavolinës së tij sepse ka qenë ai i cili ishte si një ombrellë për shokët e tij”, u shpreh Ademi.

Në fund, Ademi tha se arritja e Vokrrit që Kosovën ta anëtarësojë në UEFA e FIFA ishte e bërë me shumë mund.

Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, gjatë zbulimit të shtatores së babait të tij pranë stadiumit në kryeqytet, tha se futbolli i tejkalon shumë gjëra e kjo është vlera të cilën e ka përçuar vet Fadil Vokrri.

Bruno Ceka futbollist tha se është shumë vështirë të flitet mbas kryeministrit. Por e pranova ftesën të jem këtu sot. Nuk di sesi të shprehem sepse e jam i emocionuar dhe kemi luajtur para 20 vjetëve me të. Respekt ndaj familjes Vokrri. Respekti ndaj Fadilit nuk do të shuhet kurrë.

Ish-kapiteni Ramdan Cimili tha se është krenar që ka qenë kapiten i legjendës së futbollit Fadil Vokrri.

“Fadili na ka dit qysh marrim frymë ne. Jam me emocione por kam disa gjëra mi përkujtuar.Jam krenar që kam qenë kapiteni i tij. Ne e kemi pasur një gjeneratë dhe e kemi mbajt gjallë futbollin”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme