Kurti pas takimit me Macron: Me Serbinë nuk diskutojmë për statusin e Kosovës por për marrëdhëniet tona

Prishtinë | 24 Qer 2021 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar të potencojë  se pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti nuk do të negociohen me palën serbe në bisedimet Kosovë-Serbi. 

Shefi i ekzekutivit nga Pallati Elysee i Parisit, ritheksoi edhe një herë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me të gjitha mundësitë edhe në rajon, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane.

“Pavarësia e Kosovës, integriteti territorial dhe sovraniteti nuk do të negociohen. Me Serbinë mund të diskutojmë për statusin e marrëdhënieve tona e jo për statusin e Kosovës. Vendimi i GJND-së ka hequr çdo dilemë për ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Në vizitën e tij në Paris, Kurti kërkoi edhe një herë liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë se është e padrejtë të mos hiqen vizat kur janë plotësuar 95 kritere.

“Sigurisht që qytetarët e Republikës së Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të të gjitha kritereve, 95 sosh, ende nuk e ka të hequr regjimin e vizave. Më 18 korrik bëhen tri vjet prej se Komisioni Evropian ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqet regjimi i vizave. Në vizitën tonë kjo temë është trajtuar. Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, por s’ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave”, ka pohuar kryeministri gjatë konferencës për media.

Ndërkohë, takimi i Kurtit me presidentin Macron është komentuar edhe nga analistët politikë në Kosovë. Imer Mushkolaj ka thënë se takimi ishte mes dy burrështetasve.

“Kurti foli për raportet ndërshtetërore por duket se në takim është diskutuar për dialogun. Macron vetëm sa e paralajmëroi se dy shtetet duhet të sillen si evropianë për të gjetur një kompromis. Roli i Francës është tepër i rëndësishëm pasi Merkel tashmë është drejt fundit të karrierës së saj”, deklaroi Mushkolaj, përcjell Telegrafi.

Kurse, Xhevdet Pozhari në RTV Dukagjini thotë se po shihet një ringjallje e diplomacisë Kosovare.

“Derisa e kishim Presidentin Thaçi Kosova ishte paksa e izoluar, pasi nuk kishte vizita të Thaçit në vizita ndërkombëtare e as që vinin në Kosovë burrështetas të huaj. Ka edhe paralajmërime tjera për vizita në Romë. Kryeparlamentari më duket se tashmë ishte në një vizitë në Berlin”.

Ndryshe, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka qenë personalisht i përfshirë në përshpejtimin e procesit të arritjes së një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë por edhe të proceseve tjera në Ballkanin Perëndimor.

Nën organizimin e tij dhe të kancelares gjermane, Angela Merkel ishte mbajtur samiti i Berlinit më 29 prill 2019. Por, pak sukses ishte arritur pasi dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë për shkak të një takse që kishte vënë Kosova për mallrat serbe.

Më 1 prill, në një letër që presidenti francez Macron ia kishte dërguar kryeministrit Kurti, kishte thënë se ai shpreson që dialogu do të vazhdojë, në mënyrë që të arrihet “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës, sikurse edhe të Serbisë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan për herë të parë më 15 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Pala kosovare dhe ajo serbe nuk janë pajtuar për temat e agjendës së dialogut. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme