Kurti priti në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori

Prishtinë | 11 Maj 2021 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, priti sot në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori.

Z. Mitsunori shprehu dëshirën dhe synimin e Japonisë për thellim të marrëdhënieve me Republikën e Kosovës, ndërsa kryeministri Kurti e falënderoi për ndihmën e vazhdueshme të Japonisë dhënë Kosovës.

Ai vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale duhet të thellohen në të gjitha fushat, ndërsa duhet të fillojë një kapitull i ri i bashkëpunimit ekonomik, me fokus në fushën e teknologjisë së informacionit, marrë parasysh potencialin e rinisë në Kosovë si dhe bashkëpunimin me diasporën.

I ngarkuari me punë Mitsunori, ritheksoi se Kosova do të ketë mbështetje të vazhdueshme nga Japonia, përfshirë këtu ndihmën përmes grantit për adresimin e pandemisë COVID-19.

Ministri Vitia e falënderoi z. Mitsunori për ndihmën në sektorin e shëndetësisë dhe bashkëpunimin aktual për të sjellë shtretër të rinj dhe pajisje mjekësore. Ai i kërkoi mbështetje për Fondin për Sigurime Shëndetësore dhe Sistemin Informativ Shëndetësor.

Kryeministri Kurti dhe z. Mitsunori u pajtuan për organizimin e përbashkët të një seminari virtual biznesi për të tërheqë bizneset e Japonisë. Ata biseduan edhe për sukseset e sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për Lojërat Olimpike në Tokio, në të cilat kryeministri Kurti tha se do të jetë i pranishëm.  

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori i dorëzoi kryeministrit Kurti letër urimin nga homologu i tij japonez, Yoshihide Suga, me rastin e zgjedhjes Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Të ngjashme