Kurti tani thotë se është jashtë vendit, nuk mund të vijë as sonte (Dokument)

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, iu është përgjigjur dy ftesave të dërguara sot nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Derisa më herët gjatë ditës, Vetëvendosje kishte thënë se Kurti gjendej jashtë Prishtinës, në përgjigjen e Kurtit postuar në Facebook thuhet se ai tani ndodhet jashtë vendit dhe se nuk mund t’i përgjigjej as ftesës së dytë të presidentit Thaçi, për t’u takuar në orën 20:00, raporton Ekonomia Online.    

“I nderuari President i Republikës së Kosovës,

Ju faleminderit për dy ftesat e sotme që të takohemi sot, ftesa këto që fillimisht publikoheshin nëpër portale pastaj mbërrinin në zyrën tonë”, thuhet në përgjigje.

“Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte.

Për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, takohemi gjatë ditëve në vijim”.

“Ndërkohë po i shqyrtoj këto nenet që i keni përmendur në dy letrat tuaja”, përfundon përgjigja e Kurtit.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi e ka ftuar sot zyrtarisht Albin Kurtin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, si parti fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, për të caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë.

Takimi ishte paraparë të mbahej në orën 13:30 në kabinetin e Presidentit të Kosovës, por Zyra për Informim e Vetëvendosjes tha se ftesa ka mbërritur vetëm dy orë e gjysmë para takimit dhe se Kurti nuk mund të shkonte në Presidencë pasi “ndodhej jashtë Prishtinës”.

Thaçi përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Twitter, ka thënë se një ftesë e re do t’i dërgohet sërish Kurtit, si dhe ka kërkuar  që të mos vonohet formimi i qeverisë.

“Dje, u konstituua Parlamenti i Kosovës duke zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e tij. Teksa e pashë urgjencën për të formuar qeverinë e re në përputhje me Kushtetutën, sot e ftova  zotëri Kurtin ta propozojë kandidatin për Kryeministër, ai nuk është paraqitur në zyrën time siç pritej. Sidoqoftë, një ftesë e re do t’i dërgohet sërish. Unë përsëri u bëj thirrje të gjithëve të mos vonojnë formimin e Qeverisë së re të Republikës së #Kosovës. Populli dhe aleatët tanë presin më shumë”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Të ngjashme