Kusari pranon mosmarrëveshjet me Dedën, por thotë se s’është fundi i partisë

Prishtinë | 12 Dhj 2018 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, ka shkruar në Facebook, një ditë pasi u raportua se ka mosmarrëveshje mes saj dhe bashkëthemeluesit të partisë, Ilir Dedës, rreth çështjes së dialogut.

Kusari e ka konfirmuar që në partinë e saj mbajnë qëndrime të ndryshme. Mirëpo, ajo thotë se dallimi në mendim nuk është fundi i subjektit të saj, por ‘vlerë që e kultivojnë’.

“Demokraci do të thotë liri e mendimit, fjalës dhe veprimeve të lirë konform ligjeve në fuqi. Sot dua të ju komunikojë se #Alternativa është më e fortë se dje dhe më e dobët se nesër. Se mund të dallojmë në zgjidhjet për çështje të caktuara në mes nesh, nuk do të thotë se nuk i ndajmë vlerat dhe parimet e njejta. Nëse njerzit dallimin e mendimeve e marrin si fund të një subjekti, ne e marrim si vlerë dhe e kultivojmë atë. Më shumë mendime, më shumë ide dhe më shumë zgjidhje kreative. Për atë edhe quhemi #Alternativa #Kosova #MundësitëEReja #newchallengesnewideas”, ka shkruar Kusari.

Dje është raportuar se dyshja e Alternativës kanë qëndrime të kundërta për rezolutën e iniciuar nga PSD, sipas së cilës opozita duhet t’i bashkohet dialogut me Serbinë.

Kusari, ashtu siç edhe ka vendosur kryesia e kësaj partie, nuk dëshiron ta përkrah rezolutën, pa përfshirje të LDK’së dhe Vetëvendosjes.

Të ngjashme