Kushtetuesja ia relativizon rolin presidentit në negociatat me Serbinë

Prishtinë | 15 Qer 2019 | 07:43 | Nga Ekonomia Online

Edhe roli i presidentit të shtetit në negociatat me Serbinë do të trajtohet në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin janë shpallur jokushtetuese dispozitat e një projektligji të miratuar muaj më parë në Kuvend, e që parashihte detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror për dialogun me fqinjin verior. Ky rol do të relativizohet.

Një burim i gazetës ka thënë të premten se aktgjykimi, i cili do të publikohet brenda dhjetë ditësh, do të saktësojë se përgjegjësi e cilave institucione është udhëheqja e negociatave, shkruan “Koha Ditore”.

Sipas këtij burimi, roli kryesor i njihet Kuvendit dhe Qeverisë, por jo edhe presidentit. Ndërkaq, sa i takon Delegacionit shtetëror, gjyqtarët kanë argumentuar se nuk i lejohet ushtrimi i prerogativave ekzekutive.

Kreun e shtetit e ka lënë pa fjalë vendimi i Kushtetueses për rrëzimin e dispozitave thelbësore të Projektligjit për Delegacionin, për të cilin gazeta është informuar nga burime të ndryshme. Në këtë institucion nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet që lidhen me veprimet politike që do të pasojnë, pas publikimit të vendimit nga Gjykata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme