LDK: Bisedimet me VV-në do të vazhdojnë, por pa iu nënshtruar presioneve politike

Prishtinë | 04 Dhj 2019 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka lëshuar një komunikatë për media përmes së cilës ka sqaruar situatën e krijuar pas bllokimit të takimeve me Vetëvendosjen për arritjen e një marrëveshje të mundshme për bashkëqeverisje, raporton Ekonomia Online.

Në komunikatën e kësaj partie thuhet se LDK-ja është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.  Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Më tutje në komunikatë thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshjeje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Aty bëhet e ditur se bisedimet ndërmjet dy partive do të vazhdojnë por që nuk saktësohet se kur.

“Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional.  Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”, përfundon komunikata e LDK-së.

Të ngjashme