LDK-ja: Dënojmë manipulimin dhe keqpërdorimin e diasporës nga Vetëvendosje

Prishtinë | 14 Jan 2021 | 19:32 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e shqetësuar nga krijimi i një faqe online të paautorizuar nga KQZ-ja për regjistrimin e votuesve nga jashtë.

LDK-ja përmes nja reagimi thotë se aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje krijuan faqe online për të manipuluar vullnetin politik të mërgatës, madje sipas tyre ata kanë tentuar që atyre t’u marrin edhe mjete financiare nga llogaritë bankare.

“Prej vitesh Vetëvendosje ka nisur manipulimin dhe helmimin e diasporës, nëpërmes propagandës majtiste, gjoja se Kosova është një vend i paperspektivë në të cilin nuk jetohet. Kjo propagandë po ndikon në përçarje kombëtare dhe po dekurajon bashkatdhetarët tanë për të kontribuar për familjet dhe shtetin e tyre. Siç duket kësaj partie nuk i kanë mjaftuar instrumentet e deritanishme, por ka kaluar edhe në hapin tjetër, zhvatjen financiare të diasporës sonë nëpërmjet faqeve elektronike jo ligjore”, thuhet në reagimin e tyre.

LDK u bën thirrje të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, që të mos bien pre e manipulimeve, të cilat bien ndesh me ligjin.

Lidhja Demokratike ju bën thirrje organeve të drejtësisë, që të bashkëpunojnë me homologët e tyre në Evropë, për të denoncuar, ndaluar dhe dënuar personat që po bëjnë keqpërdorimin e diasporës sonë.

Po ashtu, LDK-ja kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë, shoqëria civile dhe mediat, që t’i evidentojnë këto shkelje dhe t’i adresojnë tek organet kompetente.

“LDK i bën thirrje Vetëvendosjes që të sillet konform rregullave demokratike të organizimit të zgjedhjeve dhe të mos provojë ndryshimin e vullnetit të sovranit me mjete të paligjshme dhe praktika abuzive”, shkruan në reagim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme