LDK: Shqetësuese heshtja e Qeverisë Kurti përballë atakut të drejtpërdrejtë të sovranitetit në veri

Prishtinë | 04 Pri 2020 | 19:40 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimet në lidhje me zhvillimet në veri të vendit. Situata në veriun e vendit, përveç problemeve me pandeminë po përkeqësohet edhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të Beogradit.

“Si gjithmonë, Serbia nuk brengoset për fatin e qytetarëve të Kosovës në veri, por qëllimi i saj është zgjerimi i ndikimit në këto komuna”, thuhet në një komunikatë shtypi të kësaj partie, e cila është në koalicion në Qeverinë në detyrë.

LDK shpreh shqetësimin e saj se si vendimet e autoriteteve të Serbisë po zbatohen për vendosjen në karantinë të komunave në veri. Edhe më shqetësuese është fakti i heshtjes së Qeverisë së Kosovës përballë këtij ataku të drejtpërdrejtë të sovranitetit të shtetit.

Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet tjera kompetente duhet të garantojnë shëndetin e qytetarëve tanë në veri, të ofrojnë ndihmën e nevojshme sikur në çdo pjesë të Kosovës, por nuk duhet në asnjë mënyrë të heqin dorë nga ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin.

“Ajo që është arritur për vite të tëra për shtrirjen e sovranitetit në veri, kthimin e pikave doganore, zbatimin e marrëveshjeve për integrimin e sistemit të drejtësisë dhe policisë, nuk bën të rrënohet nga kryeministri në detyrë dhe vartësit e tij”, theksohet në komunikatë.

Institucionet e Kosovës duhet të garantojnë sovranitetin në çdo fushë, por edhe t’ju dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie për tejkalimin e situatës së emergjencës shëndetësore

Të ngjashme