LDK: Vetëvendosje na e vodhi moton “Me zemër”

Prishtinë | 21 Maj 2017 | 20:01 | Nga

Vetëvendosje në zgjedhjet e 11 qershorit do të bëjë fushatë me sloganin “Me zemër”.

Por fushatë me të njëjtin mbishkrim, në vitin 2013 kishte bërë edhe LDK e Isa Mustafës.

Veçse atëherë bëhej fjalë për zgjedhjet lokale.

Armend Ibrahimi, ish-kryetar i Forumit Rinor i LDK-së, ka konfirmuar për Klan Kosova se LDK-ja e ka përdorur sloganin “Me zemër” gjatë vitit 2013.

Nëpërmjet një bisede telefonike ai ka thënë se këtë slogan e kishin përdorur për votuesit e rinj.

“Po më vjen mirë që Vetëvendosje ka marrë një këso ideje”, ka thënë Ibrahimi.

“Nuk e di nëse është kopjim. Por besoj se frymëzimi është nga ajo të cilën e kemi përdorur ne”, ka theksuar ai.

Më tej ai ka thënë se vetë Fisnik Ismaili nga Vetëvendosje kishte kritikuar Lidhjen Demokratike për idenë e sloganit “Me zemër”.

Klan Kosova ka kontaktuar edhe Vetëvendosjen.

Zyrtarja për informim, Tinka Kurti, mohoi se Vetëvendosje ka kopjuar LDK-në lidhur me këtë slogan.

Ajo ka thënë motoja se “Me zemër” paraqet vetëm një nga shumë hashtagët, të cilat do të përdoren gjatë kësaj fushate nga lëvizja Vetëvendosje.

“Ky nuk është slogani i Vetëvendosjes, pasi që slogani del kur fillon fushata”, tha Kurti.

Ajo ka insistuar se Vetëvendosje do të ketë një slogan tjetër.

“Ky është vetëm një “hashtag”, përfundoi ajo.

Të ngjashme