LDK: VV të thërrasë tryezën për të caktuar zgjedhjet, institucionet jofunksionale

Prishtinë | 11 Maj 2018 | 11:45 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), po kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje që të thërras tryezën e radhës së partive politike ku do të caktohej data e zgjedhjeve të parakohshme, raporton Ekonomia Online.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në konferencën e rregullt javore, tha se tryeza e iniciuar prej tyre ka pasur për qëllim të nxjerrë vendin nga kriza përmes caktimit të datës së zgjedhjeve dhe dakordimit mes partive për temat e rëndësishme në vend.

Hoti ka thënë se tani i takon VV-së që të thërras tryezën e radhës të partive politike.

Sipas tij, institucionet e kanë humbur legjitimitetin për të funksionuar, sepse sipas tij Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvend.

“Ne e kemi iniciuar tryezën që vendi të dal nga kriza përmes caktimit të datës së zgjedhjeve e dhe përmes kryerjes se punëve me qëllime nacionale. Në këtë tryezë i kemi dhënë mundësi dialogut, por na vjen keq që ambicia e kryeministrit dhe kryeparlamentarit për pushtet po mbizotëron. Pres që partia e tretë në Kuvend të organizojë tryezën e radhës”.

Ai ka shtuar se vendimet e qeverisë Haradinaj do të anulohen nga Qeveria e ardhshme, sepse sipas Hotit ato nuk janë legjitime.

Hoti ka thënë se Kuvendi është plotësisht jofunksional. Sipas tij, që prej formimit të qeverisë Haradinaj nga 24 seanca të Kuvendit që janë mbajtur, 20 prej tyre janë shtyrë për mungesë të kuorumit.

Ai ka deklaruar se kryeministri po e mashtron komunitetin goran për krijimin e komunës së re, raporton EO.

“Institucionet e kanë humbur legjitimitetin. Qeveria nuk e ka shumicën ne Kuvend dhe s’ka legjitimitet demokratik. Vendimet që merren do të anulohen në Qeverinë e ardhshme sepse s’janë legjitime. Një deputet tjetër i koalicionit kushtëzon votën për interesin e tij”.

“Kryeministri mashtron goranët për komunën e re pa u konsultuar me boshnjakët. Kuvendi është plotësisht jofunksional, nga 24 seanca të Kuvendit sa janë mbajtur, 20 prej tyre janë shtyrë për mungesë të kuorumit. Edhe mbledhjet e komisionit po dështojnë. Ministrat dhe kryeministri nuk po marrin pjesë, është humbur çdo kontroll i demokracisë,  këto janë veprime të një qeverie autoritare por këtë s’do ta lejojmë”.

Të ngjashme