Letra e Bidenit tregon se ShBA-ja është e interesuar ta përfundojë dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë | 08 Shk 2021 | 13:00 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Arbër Fetahu studiues shkencor në GLSP, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se letra nga presidenti i ShBA-së, Biden dërguar homologut serb, Aleksandër Vuçiq ka një simbolikë të veçantë që tregon se Amerika është e interesuar për të përfunduar dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se letra e Biden e cila ka kërkesë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vjen në momentin kur ky shtet po shënon ditën e shtetësisë së tij.

“Është një letër shumë e rëndësishme, pasi vije nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është një vend shumë i fuqishëm dhe përpos letrës ka një simbolikë shumë të madhe për shkak që dërgohet kjo letër shumë shpejtë pasi që Joe Biden mori detyrën si President i ShBA-ve si dhe kërkesa për njohje të ndërsjellët vije edhe në momentin kur Serbia po shënon ditën e shtetësisë së saj. Për këtë arsye kjo ka një simbolikë shumë të rëndësishme dhe tregon që shtetet e bashkuara të Amerikës janë të interesuara ta përfundojnë procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ku në thelb është njohja e ndërsjellët”, tha Fetahu.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden, thotë se Shtetet e Bashkuara mbesin të palëkundura në qëllimin për të mbështetur integrimin evropian të Serbisë. Por ai në letrën dërguar presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq kërkon edhe reforma si dhe arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën, e cila do të përqendrohej tek njohja e ndërsjellë. Këtë letër presidenti Biden i ka dërguar Vuçiqit në prag të ditës së shtetësisë së Serbisë, e cila shënohet me 15 shkurt.

“Ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim përfshirë realizimin reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhet ndër tjerash në letrën e cila është publikuar edhe në faqën zyrtare të presidencës serbe.

Fetahu shprehet se kjo letër e tregon interesin amerikan, dhe që duhet të shfrytëzohet mirë nga ana kosovare.

 “Kjo letër tregon edhe më tej që interesi amerikan është që të ketë një marrëveshje me një rezultat të qartë, nuk ka ekuivoke sa i përket statusit të Kosovës dhe kjo gjë duhet të shfrytëzohet mjaftë mirë nga ana kosovare, por kjo letër duhet të shfrytëzohet në aspektin që pala kosovare ta krijojë një strategji, një platformë të mirëfilltë, ta krijojnë një konsensus dhe unitet të përbashkët politik brenda dhe shoqëror dhe një kohezion social për të dalë përballë Serbisë në dialogun që mund të zhvillohet më tej. Kjo tregon edhe më tej që z.Biden ka një qasje të strukturuar për Kosovën, ka një qasje të qartë dhe politikbërja shumë vjeçare dhe përvoja e tij e madhe në rajonin e Ballkanit mund t’i sjellë përfitime të mëdha Kosovës dhe të përmbyll këtë kapitull të shtetësisë të kontestuar ndërkombëtarisht ku në thelb është njohja e ndërsjellët”, shtoi tutje ai

Fetahu mes tjerash tha që kjo letër i ndihmon jashtëzakonisht shumë Kosovës, dhe është një mbështetje nga një aleat shumë i fuqishëm, dhe kjo letër është një ndër letrat më të rëndësishme që ka marrë Kosova.

“I ndihmon jashtëzakonisht shumë, pasi që vjen mbështetje nga një aleat shumë i fuqishëm, nga një shtet që në sistemin ndërkombëtar ka peshën më të madhe dhe vije me një kërkesë të qartë, nuk kemi kërkesa tjera, nuk ka ndonjë pikë që mund të kontestohet në këtë letër pasi që është njohja e ndërsjellët dhe z.Biden e ka bërë të qartë që është kundër shkëmbimeve territoriale dhe është për një marrëveshje ku ruhet integriteti territorial i Kosovës”, deklaroi ai.

Letra e Biden është mirëpritur në Kosovë, ndërsa që në Serbi ka ngjallur reagime të ashpra, duke kundërshtuar një njohje ndaj Kosovës.

Të ngjashme