Liderët shtetërorë shprehin ngushëllime për vdekjen e senatorit Dole

Prishtinë | 05 Dhj 2021 | 18:59 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e senatorit Bob Dole.

Ajo ka thënë se ai ishte një hero lufte, një politik i respektuar dhe mbështetës i lirisë në mbarë botën.

“E pikëlluar kur dëgjova për vdekjen e senatorit Bob Dole. Një hero lufte, një politikan i respektuar dhe një mbështetës i lirisë në të gjithë botën. Por në veçanti jemi mirënjohës që ai gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të Kosovës në luftën tonë për pavarësi. U prefsh në paqe mik i dashur”, ka shkruar ajo në Twitter.

Për vdekjen e senatorit Dole ka reaguar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“I pikëlluar për humbjen e senatorit Bob Dole. Senatori Dole mbetet një nga figurat kryesore që identifikon rrugën e Kosovës drejt shtetësisë. Ai ishte një nga politikanët e parë që njohu luftën tonë për liri dhe e udhëzoi Kosovën drejt asaj që jemi sot. Pusho i qetë Bob. Do të na mungosh”, ka shkruar ai.

Ndërkaq Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka shkruar se shërbimi i senatorit Dole do të jetë frymëzim për gjeneratat e reja të amerikanëve dhe kosovarëve.

“Derisa mbajmë zi sot për humbjen e nëpunësit publik të përjetshëm dhe senatorit të lartë të shtetit Bob Dole, kujtojmë kontributin e tij të domosdoshëm në Kosovë dhe punën e tij për avancimin e lirive demokratike në mbarë botën. Shërbimi i tij le të jetë frymëzim për ne dhe gjeneratat e reja të amerikanëve dhe kosovarëve”, thuhet në postimin e ambasadës.

Ndërkaq kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se senatori Dole ka trashëgimi historike në projektin kombëtar për çlirim dhe pavarësi.

“Thellë i pikëlluar me lajmin për vdekjen e Senatorit Bob Dole, mikut të madh të Kosovës dhe popullit tonë, i cili parreshtur mbështeti rrugën tonë drejt lirisë, që nga ditët e rënda në fillim të viteve ’90, në themelimin e shtetit tonë të lirë e të pavarur e deri në ditët e sotme. Senatori Dole ka trashëgimi historike në projektin tonë kombëtar për çlirim dhe pavarësi. Ai do të na mungojë, por trashëgimia e tij do jetojë përgjithmonë, bashkë me historinë e shtetit tonë sovran”, ka shkruar ai.

Të ngjashme