Limaj në Kamenicë: Partitë e tjera po e keqkuptojnë fushatën, kemi nevojë të jemi të bashkuar

Kamenicë | 28 Sht 2019 | 17:04 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma Socialdemokrate ka mbajtur tubim elektoral në Kamenicë. Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka prezantuar prioritetet e kësaj partie, ndërsa ka bërë thirrje që partitë duhet të bashkohen për çështje që prekin shtetin, raporton Ekonomia Online.

“Kemi ardhur para 10 dite që të prezantojmë kandidatin tonë për deputet, një djalë të ri dhe ka ardhur koha ta dërgojmë nga Kamenica në Prishtinë”, tha Limaj.

Limaj tha se shtetin do ta bashkojë kauza e Nismës “Bashkë për shtetin”.

“Bashkë për shtetin për një jetë më të mirë, për një siguri, për të ndihmuar ata që kanë nevojë, qindra fëmijë të mbrojmë dhe kjo bëhet kur bëhemi bashkë për shtetin tonë”.

Ai ftoi gjithë Kamenicën të dalë në zgjedhje për të bërë zgjidhjen e duhur.

“Bashkë për shtetin për familje tona dhe mijëra prindër që me vështirësi rrisin fëmijët e tyre, prindërve u takon shtesat e fëmijëve, kjo do të bëhet e mundur nëse jeni bashkë për shtetin, reforma në drejtësi, shëndetësi të mirë”, tha Limaj.

“Ka qindra e mijëra gra e bashkë do sigurojmë me ligj kujdesin gjatë shtatzënisë që me dinjitet siç duhet presin të lindin e rrisin fëmijët e tyre, bashkë me shtetin për ekonomi të zhvilluar të fuqizojmë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Limaj.

Limaj tha se subjektet tjera po thërrasin të ndihmohen për veten e tyre dhe jo për shtetin siç po bën NISMA.

“Aktualisht ka shumë subjekte, që thonë eja me mua e asnjëra nuk flet shtetin. Ne kemi ardhur në Kamenicë të ftojmë të jemi bashkë për shtetin”, tha ai.

“Kosova ka nevojë të jetë e bashkuar, kemi njerëz që kemi humbur”, tha Limaj.

Limaj tha se të tjerët po e keqkuptojnë fushatën dhe po dëmtojnë të tjerët siç e quan ai vëllaun e tyre.

“Ata që përjashtojnë njerëz nuk i ndihmojnë vendit ne kemi nevojë për të gjithë dhe ky subjekt di të bashkojë njerëz”, tha Limaj.

“Ne, pas 6 tetorit, do të dimë të bashkojmë njerëz dhe mbajeni mend që vota juaj do të bashkojë Kosovën”, shtoi ai.

Sekretari i NISMA-s, Bilall Sherifi tha se Kosova ka kaluar shumë sakrifica për të ardhur në këtë pikë dhe vazhdimisht Limaj ka qenë prezent në proceset më të rëndësishme të vendit.

“Të gjithë e dimë se Kosova në këtë pikë nuk ka ardhur vetë, nuk na ka sjellë askush por është mund, sakrificë e mijëra njerëz që kanë dhënë jetën, dëshmor e të zhdukur, Kosova në periudhën e ardhshme po hyn në një fasë të rëndësishme, nëse do mundja të përmblidhja me pak fjalë për luftën, konferenca e Rambujes, UNMIK-u, procesi i Vjenës ku u arrit marrëveshja dhe plani i Ahtisarit e më pas më 17 shkurt Kosova e shpalli pavarësinë e saj”, tha Sherifi.

Sherifi kërkoi mbështetje nga të gjithë në mënyrë që projekti i Limajt të marr mbështetjen më të madhe në Kamenicë.

“Nga ky moment vazhdojmë të sillemi në një vorbull ku nuk ka lëvizje përpara dhe faza ku po hyjmë është ë rëndësishme për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi dhe është koha Kosovën ta udhëheqë një njeri që merr pjesë në këto procese, Fatmir Limaj”, tha ai.

“Pjesëmarrës në gjitha proceset e rëndësishme të Kosovës dhe një njeri i tillë i nevojitet Kosovës si kryeministri i ardhshëm i vendit, Fatmir Limaj”, shtoi ai.

Kandidati për deputet dhe kryetari i degës së NISMA-s në Kamenicë, Albert Sermaxha, tha se kjo parti çdo ditë po fiton besimin e qytetarëve, raporton EO.

“NISMA në Kamenicë që nga fillimi ka arritur një proces të jashtëzakonshëm falë punës në nivel lokal dhe qendror çdo ditë e më shumë po zgjerohemi dhe po fitojmë kredibilitet për dallim nga subjektet tjera”, tha Sermaxha.

Ai u zotua se do të punoj vazhdimisht për të mirën e qytetarëve të Kamenicës dhe Kosovës.

“Zotohem se do punojmë pa ndalë së bashku me ju dhe përkundër vështirësive si shtet me besimin tuaj si qytetar të Kamenicës dhe si kryetar i degës së NISMA-s në Kamenicë me mbështetjen e Limajt do të mundohemi bashkë për shtetin për një jetë me të mirë”, tha ai.

Lexo më shumë:

Të ngjashme