Limaj në Obiliq: Asnjë familje nuk do të mbetet pa të punësuar

Obiliq | 27 Sht 2017 | 20:48 | Nga Valbona Bytyqi

Nisma për Kosovën ka hapur fushatën zgjedhore në Obiliq, me ç’rast janë prezantuar kandidati i kësaj partie për kryetar të Komunës, Mexhid Krasniqi, dhe kandidatët për Kuvendin Komunal.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se Obiliqi është komuna më e varfër në vend.

“Obiliqit po i bëhet e padrejtë pasi ky vend prej të cilit po përfiton e gjithë Kosova nuk po e merr atë që e meriton “, ka thënë Limaj.

Por, Limaj ka përsëritur se plani i Nismës në nivel nacional është që asnjë familje në Kosovë nuk do të mbetet pa të së paku një punësuar.

Kreu i Nismës beson se “fryma e re e ndryshimit” që ka kapluar anekënd Kosovën do të ndodhë edhe në Obiliq. “Dhe nuk ka figurë tjetër që përçon frymën e re të ndryshimit më shumë sesa Mexhid Krasniqi”.

“Ende pa ardhur data 22 tetor, ti je fitues i garës sepse ke futur një qasje tjetër të trajtimit të problemeve, duke iu bërë ftesë qytetarëve që të bashkëqeverisin”.

Krasniqi: Do të fokusohemi në bujqësi

Edhe kandidati për kryetar të Obiliqit, Mexhid Krasniqi, tha se “të gjitha rrugët në Obiliq po qojnë drejt ndryshimit”.

“Kryetar i Obiliqit nuk do të jetë Mexhid Krasniqi, por do të jetë bujku, arsimtari dhe qytetarët… Qytetarët e komunës sonë do t’i vëmë në qendër të projekteve”, u shpreh ai.

Krasniqi tha se “nuk do ta lenë rehat” Fatmir Limajn si zëvendëskryeministër i Qeverisë që qytetarët e Obiliqit të kenë prioritet në punësim. Sipas tij, KEK-u është mbushur me të punësuar nga Drenica e Llapi, e qytetarët e Obiliqit megjithëse e thithin tymin dhe pluhurin e tymtarëve nuk janë të punësuar.

Më shumë se 65 % e territorit të Obiliqit është tokë bujqësore, andaj Krasniqi tha se do të fokusohen në këtë fushë.

“Projekti i Nismës për bujqësinë është shumë i qartë: asnjë pëllëmbë toke nuk do të mbetet djerrinë”, ka përfunduar Krasniqi, duke kërkuar votën e obiliqasve për ta ndalur keqqeverisjen e deritanishme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme