Lladrovci: Unik në kërkesa dhe veprime për qytetarët, me orë të njëjtë ndalimqarkullimi

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e mbajtur në komunën e Drenasit, nga kryetarët e komunave të Kosovës, kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur fjalë rasti, ku është theksuar qëllimi i diskutimit dhe mobilizimit unik si komuna për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Lladrovci, ka vlerësuar se duhet orar unik, në tërë vendin, për të pasur sukses pengimi i përhapjes së virusit covid-19.

“Pa dashur të komentoj ndalimin e qarkullimit, rrjedhimisht lëvizjes së qytetarëve sipas orareve të përcaktuara, sidomos tani pasi kemi të freskët edhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, mendoj se kjo masë për qarkullim duhet të jetë e njëjtë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Ja postimi i . Lladrovci në fb:

Menaxhimi i situatës me pandeminë COVID-19, na bëri bashkë, kryetarët e Komunave të Kosovës pa dallim partie, por, me të vetmin qëllim, mobilizimin unik të të gjithëve për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Drenasi u zgjodh mikpritës i këtij takimi të organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, prej të cilit dolëm unik në disa kërkesa dhe nevoja që kemi si komuna në përpjekjet tona për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

E vlerësoj shumë përkrahjen unanime të kryetarëve të komunave që vendimi për qarkullim të jetë unik për të gjithë dhe jo vetëm për komunat që janë në karantinë.

Para homologëve komunal mbajta këtë fjalë rasti:

Faleminderit kryesues z. Gashi,

Të nderuar koleg kryetar,

I nderuar z Ibrahimi,

Fillimisht, me lejoni të ju falënderoj që ju keni përgjigjur pozitivisht kërkesës time për takimin e kolegjiumit të kryetarëve me qëllim të diskutimit dhe mobilizimit unik si komuna për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Po ashtu falënderoj Sazanin që propozoj Drenasin për mikpritës të këtij takimi.

Duke marrë parasysh periudhën në të cilën ndodhemi dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, unë në këtë takim të këshillit të kryetarëve kam këto propozime:

Nëse i referohemi vendimit Nr.01/24, të datës 08.04.2020, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht paragrafit 2, ku thuhet se Ministria e Shëndetësisë pas rekomandimeve të njësive përkatëse profesionale dhe në konsultim me komunat respektive do të përcaktojë orarin e lëvizjes, unë jam skeptik nëse do të ketë rezultate në terren.

Pa dashur të komentoj ndalimin e qarkullimit, rrjedhimisht lëvizjes së qytetarëve sipas orareve të përcaktuara, sidomos tani pasi kemi të freskët edhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, mendoj se kjo masë për qarkullim duhet të jetë e njëjtë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Nëse ndalimi i qarkullimit nuk është i njëjtë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, atëherë do të jetë e vështirë që këto masa të arrijnë rezultate konkrete për të cilën jemi mbledhur këtu. Nëse një komunë është në karantinë, ndërsa komuna fqinje jo, në rast se nuk do të jetë ndalimi i qarkullimit i njëjtë, atëherë qytetarët e komunës së karantinuar do të gjejnë rrugë alternative për të kaluar në komunën fqinjë, me qëllim të kryerjes së shërbimeve të ndryshme, si shërbime bankare apo blerje të ndryshme, duke rrezikuar të përhapet virusi COVID-19.

Andaj, duke pasur parasysh që një gjë e tillë mund të bëhet përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës, propozoj që nëse edhe ju pajtoheni, të kërkohet nga ana e Kuvendit shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të ruhet shëndeti i qytetarëve tanë, duke u mbështetur në atë që që interesi publik duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.

Çdo alternativë tjetër e kufizimit të qarkullimit, përveç që do të bie ndesh me legjislacionin në fuqi, personalisht mendoj që nuk do të ketë rezultate të kënaqshme për të cilat ne synojmë që të arrijmë për parandalimin e këtij virusi.

Ky është propozimi nga ana ime, por mbetet në dorën e secilit nga ne që të vlerësojmë gjendjen në të cilën ndodhemi, pasi që mendoj se ende jemi në kohë që të veprojmë në mënyrë unike për të stopuar apo ngadalësuar përhapjen e virusit COVID-19.

Po ashtu, kërkoj që në pakon e subvencionimeve të përfshihen edhe shtabet emergjente, vozitësit e veturave të QKMF-së, punëtorët e sporteleve, punëtorët e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, punëtorët e Qendrës për Punë Sociale, punëtorët e kompanive të pastrimit, punëtorët e rregullt të Administratës. Po ashtu, të adresohet kërkesa e kolegjiumit të zyrtarëve të informimit që të përfshihen në pakon emergjente edhe zyrtarët e informimit nëpër komuna.

Vetëm bashkë mund t’ia dalim në mbrojtjen ndaj këtij virusit. Pa panik, por, me kujdes të shtuar.


Të ngjashme