Lluka: 700 mijë euro për laboratorin e gjeologjisë në Universitetin e Mitrovicës

Prishtinë | 17 Sht 2019 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim në mes të MZHE-së, përkatësisht Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Fakultetit të Gjeoshkencave të Universitetit të Mitrovicës.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është shfrytëzimi i ndërsjelltë i pajisjeve laboratorike të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Fakultetit të Gjeoshkencave, organizimi i konferencave të ndryshme shkencore nga fushëveprimi i tyre dhe ngritja profesionale e stafit përkatës. Vlera totale e projektit përshin shumën rreth 700 mijë euro, investim ky i bërë nga MZHE.

Ministri Lluka theksoi se kjo marrëveshje bashkëpunimi është frytdhënëse pasi që studentëve u mundësohet të motivohen më tepër rreth studimeve në Fakultetin e Gjeoshkencave, pasi kanë mundësi që veç teorisë, të zhvillojnë edhe anën praktike dhe të njihen më thellësisht me këtë fushë.

Ai përmendi se duhet bërë politika të tilla të cilat do të ndikonin në zgjimin e interesimit të studentëve për vazhdimin e studimeve edhe në nivelin Master, por edhe në Doktoraturë pasi kemi nevojē për kuadro të cilat sjellin përspektivë për fusha të cilat janë më pak të njohura për njerëzit.

Rektori i Universitetit të Mitrovicës Alush Musa, i cili priti në takim ministrin Lluka, e mirëpriti këtë marrëveshje dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunime akoma më të mëdha në këtë aspekt, fushë kjo e cila sipas tij ka nevojë për fokus të madh në të ardhmen dhe sjell benefite në të mirë të shoqërisë dhe vendit.

Ministri Lluka gjithashtu shprehu gatishmërinë e tij për të ndarë bursa për studentët dhe përmendi se në të ardhmen studentet tanë me njohuritë që marrin nga studimet, presim t’i shkëmbejnë njohuritë e tyre me studentët jashtë vendit.

Të ngjashme