Matoshi: Veç dy njerëzve iu kam besuar në jetë, Rugovës e Haradinajt

Prishtinë | 13 Maj 2017 | 12:46 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Publicisti Halil Matoshi ka aderuar zyrtarisht në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një konferencë shtypi, të organizuar në selinë e partisë së Ramush Haradinajt.

Duke folur për arsyet që e shtynë t’i bashkohet këtij subjekti politik, Matoshi tha se politika është besim i ndërsjellë. “Dhe nëse nuk i jepni mirëbesim rezultatet janë të ligshta. Në jetën time iu kam besuar dy njerëzve; ka qenë presidenti Rugova dhe tani Ramush Haradinaj”, tha Matoshi, raporton Ekonomia Online.

“Nëse nuk kemi besim me kë ecim, nuk na presin rezultate të mira”, shtoi ai.

Sipas tij, duhet të kthehet besimi i qytetarëve në politikanë. “Duam që t’u kthejmë besimin qytetarëve të Kosovës në institucionet dhe establishmentin politik të Kosovës. Idetë teorike mbesin teori dhe me AAK-në jam për shkak të besimit që kam në z Haradinaj dhe stafin e tij”, ka thënë Matoshi

Për të mirëpritur aderimin e Matoshit, para gazetarëve ka dalë dhe lideri i partisë, Ramush Haradinaj, i cili nuk ka kursyer lëvdatat për bashkëpartiakun e ri.

“Për ne shqiptarët, Halili është emër i njohur dhe ndër të hershmit që ka qenë protagonist i proceseve nëpër të cilat ka rrugëtuar populli jonë. Ka përçuar ide dhe vizion”, tha Haradinaj.

“Njihet si një njeri i përgjegjshëm që mban përgjegjësi për fjalët që ia ka dhënë qytetarit. Ardhja e tij është dëshmi që njerëzit e mirë të vendit duhet me u bashku në këto momente të vështira për vendin”, ka theksuar kreu i AAK-së.

Matoshi, edhe një herë më parë kishte braktisur gazetarinë, për t’iu bashkuar partisë së Veton Surroit (Ora), por nuk kishte arritur të hynte në parlament.

Të ngjashme