Mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare luftë politike pozitë-opozitë, po krijohet imazh i keq

Prishtinë | 25 Kor 2021 | 08:23 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe zvarritja e tyre në votim po konsiderohet si luftë politike që po bëhet nga partitë në vend. Marrëveshje kanë të bëjnë me disa nga çështjet kryesore në vend si ekonomia, pandemia dhe financat.

Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL”, në një intervistë për Ekonomia Online tha se me mosvotimin e marrëveshjeve opozita dëshiron të jap sinjale se Qeveria nuk është në gjendje të bëjë një gjë të tillë, duke e quajtur këtë lojë politike.

“Negocimi i marrëveshjeve ndërkombëtare bëhet ose prej Qeverisë, po pa një përfshirje substanciale të opozitës që ndikon në vendimet e votimit të ratifikimit, edhe në këtë rast këto marrëveshje ndërkombëtare edhe nëse në substancë mund të jenë të diskutueshme duket që mosratifikimi është një tregues që opozita do me e dhënë se Qeveria nuk është në gjendje me bë një gjë të tillë, pra është një luftë politike”.

“Duket që edhe te marrëveshjet ndërkombëtare është duke u bë politikë vendore, kjo është problemi i parë pasi duke e pasur parasysh që ratifikimi është si proces i fundit i një procesi jashtëzakonisht të gjatë të negociatave, vendosja e parimeve kryesore dhe kushteve që shkojnë nëpër komisione paraprake dhe në fund është Kuvendi që e ratifikon dhe jep vulën përfundimtare”.

Mes tjerash Hoxha thotë se secila nga këto marrëveshje duhet të jetë prioritet i Qeverisë, në mënyrë që  të moskrijohet një imazh i keq i Kosovës te ndërkombëtarët.

“Një prej çështjeve më të rëndësishme të një shteti është qasja në financa ndërkombëtare, kështu që marrëveshje të tilla si kjo e infrastrukturës është një prej investimeve më të rëndësishme si një shtet i vogël si Kosova dhe prioritet i Qeverisë. E në aspektin praktik kjo dëmton jashtëzakonisht shumë Kosovën sepse qasja në financa zvogëlohet. Por edhe te pjesa e dytë kemi imazhin e keq që Kosova  e lë te ndërkombëtarët”, theksoi tutje ai.

Si përfundim ai tha se këto marrëveshje me patjetër do të ratifikohen, por që thjesht është çështje kohe, dhe kushdo që kundërshton një votë të tillë do paguajë një çmim politik.

“Këto marrëveshje patjetër që do ratifikohen, por thjesht është çështje kohe, kushdo që është baza e kundërshtimit duhet me e paguar një çmim politik, te qytetarët më shumë se mos me e dhënë votën që janë përgjegjës për mos votim, sepse është e domosdoshme”, përfundoi Hoxha.

Edhe Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se mungesa e kuorumit në vendimmarrje ka qenë problem në secilën legjislaturë dhe që kërkohet ndihma e opozitës për të quar përpara këto marrëveshje.

“Problemi në fakt është që kjo çështja e mungesës së kuorumit në vendimmarrje, kur bie fjala tek marrëveshjet ndërkombëtare ka qenë problem në pothuajse secilën legjislaturë, duke qenë se marrëveshjet ndërkombëtare kërkojnë 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, e që atëherë e ka të pamundur qeveria të arrijë ato vota pa ndihmën e opozitës”.

Ajo tutje potencon se të gjitha këto marrëveshje shkojnë në të mirë të qytetarit dhe se duhet të shkojnë përtej interesave partiake, raporton EO.

“Meqenëse këto marrëveshje shkojnë në të mirë të qytetarëve, konsiderojmë që do duhet që të gjitha grupet parlamentare të kalojnë përtej interesave partiake dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët, mirëpo gjithmonë duke i konsideruar se shumica parlamentare duhet të kultivojë këtë bashkëpunim me opozitën në mënyrë që këto marrëveshje të kalojnë”, tha Haxhiu.

“Edhe marrëveshjet e tjera normalisht që janë të rëndësishme sepse përimtojnë një çështje në një fushë të caktuar, dhe secila prej tyre ka një rëndësi të veçantë duke kontribuar në rritjen e mirëqenies së qytetarit pavarësisht fushës ku ato i përkasin”, përfundoi ajo.

Të ngjashme