Mustafa dhe Kurti do të bisedojnë për postin e presidentit, konfirmon VV

Prishtinë | 03 Nën 2019 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

Pozita e Presidentit të Kosovës po kërkohet që të jetë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në krye të saj të vjen kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Isa Mustafa po kërkon që të bëhet President i Kosovës në vitin 2021, kjo sipas një marrëveshje të koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen.

Këtë pozitë nuk po e lëshon LDK dhe po kërkon me çdo ngulm të ju takon atyre, madje edhe vet Mustafa kishte thënë në Klan Kosova se dëshiron që të jetë ai President i ardhshëm dhe ta përmbyllë karrierën e tij politike.

Por, një reagim tani ka ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje, është deputetja Albulena Haxhiu e cila ka treguar se për pozitën e Presidentit do të flet vetëm Albin Kurti dhe Isa Mustafa.

Sipas saj kjo çështje është shumë e rëndësishme dhe flasin vetëm kryetarët e dy partive dhe jo anëtarët e tjerë të partive.

“Niveli i cili do të trajton çështjen në qoftë se ekziston një kërkesë e tillë, është niveli i kryetarëve, pra çështja e Presidentit apo edhe pozicione tjera do të trajtohen ndërmjet kryetarit të Vetëvendosjes dhe LDK’së”, tha Haxhiu për KTV.

Haxhiu ka qenë e kujdesshme në deklaratat e saj sikurse sekretari i saj, Besnik Bislimi, ku javën e kaluar ka thënë se për këto punë duhet të pyetet vetëm lideri i tyre, Albin Kurti.

“Në rast se bëhet një kërkesë e atillë ajo duhet të adresohet te z.Kurti dhe të trajtohet aty, por, jo nga grupet teknike apo z.Haziri”, është deklaruar Bislimi.

Cilat janë prapaskenat dhe problemi i vetëm i LDK-VV për pozitën e Presidentit?

Lutfi Haziri e ka zbuluar problemin e madh që kanë me VV’në gjatë këtyre bisedimeve, ai po thotë se është pozita e Presidentit të cilën po e kërkojnë dhe duhet që ta marrin, e jo pas disa vite të krijohet problem për dy partitë dhe Presidenti të zgjidhet nga zarfi ashtu siç u pati zgjedhur dikur Atifete Jahjaga.

Haziri edhe vet e ka zbuluar marrëveshjen dhe kërkesën e LDK’së që Isa Mustafa të jetë President i Kosovës më 2021.

“Për të qenë marrëveshje funksionale duhet të sqarohen të gjitha pozicionet tash. Nëse nuk e sqarojmë tash pozitën e Presidentit ne po paralajmërojmë krizë në vitin 2021….Isa Mustafa i plotëson të gjitha kushtet për të qenë President i Kosovës”, ka thënë Haziri.

Kjo pozitë në bazë të marrëveshjes së koalicionit duhet t’i takon LDK’së sipas zyrtarëve të, pasi këta të fundit kanë lëshuar rrugë për pozitën e Kryeministrit që t’i takon Albin Kurtit, shkruan Gazeta Metro.

Deri tani janë përfunduar një numër i madh i çështjeve që të arrihet koalicioni LDK-VV, tanimë kanë mbetur vetëm ndarja e ministrive dhe pozita e Presidentit.

Ndërkaq dihet se gjatë vitit 2016, Albin Kurti nuk kishte fjalë të mira për Isa Mustafën, i cili në atë kohë ishte kryeministër i vendit. Ai e quante Mustafën si ‘argat të Serbisë’, ‘qyqan’, ‘nënshtrues i Thaçit’ e i sulmonte shtëpinë me koktej molotovi dhe eskortën me të cilën udhëtonte.

Krejt në fund kujtojmë se me 6 shkurt të vitit 2016, ishin votat e LDK’së ato që zgjodhën president të Kosovës, Hashim Thaçin, një votim i cili u përcoll mes tensionesh të larta politike, ku dy herë radhazi u ndërpre seancën pasi ishte hedhur gaz lotsjellës dhe jashtë Kuvendit po mbaheshin protesta nga ana e LVV.

Të ngjashme