Mustafa: Treni, një lojë e pandershme e Serbisë

Prishtinë | 14 Jan 2017 | 19:49 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ka thënë se kthimi prapa i trenit ilegal nga Serbia ka qenë veprim i duhur dhe është marrë në konsultim edhe me faktorin ndërkombëtar.

“Nëse treni do të hynte në territorin e Kosovës do të trajtohej në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

“Kosova është për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj, por nuk lejon provokime të këtilla”, theksoi kryeministri, në një konferencë me gazetarë, në orët e mbrëmjes.

Kreu i Qeverisë tha se kjo ishte një lojë e pandershme e Serbisë. “Nuk do të lejojmë provokime të tilla që kanë për qëllim kthimin e Kosovës dhe rajonit në vite të errëta dhe me pasoja të paparashikueshme”.

Mustafa tha se Qeveria e Kosovës, me të gjitha dikasteret e saj, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Infrastrukturës, Autoritetin Rregullativ të Hekurdhave, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe autoritetet e tjera janë angazhuar gjatë gjithë këtyre ditëve që ta adresojnë këtë çështje.

Ai tha se së bashku dhe me presidentin Hashim Thaçi e kryeparlamentarin Kadri Veseli kanë informuar faktorin ndërkombëtar për këtë situatë. “Kemi zhvilluar takime me misionet në Kosovë në mënyrë që të sensibilizojmë për qëllimet destruktive të Serbisë”, tha Mustafa.

Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zyrën e Bashkimit Evropian për mbështetjen për të përballuar këtë situatë.

“Së bashku me kryetarin e Kuvendit, dhe në konsultime me presidentin, kemi marrë të gjitha masat që të informojmë faktorin ndërkombëtar, kemi mobilizuar të gjitha institucionet dhe janë ndërmarrë masat adekuate që të adresohet ky problem”.

“Kemi mbajtur edhe takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, së bashku dhe me kryetarin e Kuvendit, dhe kemi marrë vendim që institucionet të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese”.

“Më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe kryeparlamentarin, të angazhohemi për të mbrojtur sovranitetin e vendit”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

isamustafa (2)

Të ngjashme