Ndërprerja e mandatit, historiku i Valdete Dakës në KQZ

Prishtinë | 14 Qer 2021 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka ndërprerë mandatin tashmë ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.

Në arsyetimin e vendimit të Presidencës, të cilin e ka siguruar Klankosova.tv, thuhet se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë i pavarur dhe se Daka nuk e ka kryer punën e saj sipas standardeve profesionale dhe etike.

Në vendimin për shkarkim thuhet se Kryesuesja e KQZ-së, me veprimet e saj sidomos gjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.

“Kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurt 2021, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së. Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësuesve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuar në përshkallëzim të situatës përgjatë mbledhjeve të këtij organi. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës ishin dëshmitarë të presionit të paprecedent nga Kryesuesja kundrejt stafit të KQZ-së në mbledhjen e KQZ-së të datës 22 janar të vitit 2021”.

Në vendim tutje thuhet se pasi që zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen këtë vjeshtë, janë afër nuk mund të lejohet që të cenohet tutje integriteti i këtij institucioni, shkruan Klankosova.tv.

“Legjislacioni në fuqi parasheh se Presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar Kryesuesen e KQZ-së, sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Ndaj, duke pasur parasysh vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike dhe për t’u siguruar se ky integritet nuk dëmtohet më tutje, duke u mbështetur në faktin se zgjedhjet lokale të vitit 2021 pritet të organizohen së shpejti, dhe në asnjë mënyrë Kryesuesja e KQZ-së nuk guxon të jetë shkak i humbjes së besimit të qytetarëve në këtë institucion, kam vendosur sikurse në dispozitivin e këtij vendimi”, thotë vendimi i presidentes, Vjosa Osmani.

Valdete Daka u emërua kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 16 qershor të vitit 2010 nga ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu.

Daka për herë të dytë u emërua në krye të KQZ-së nga ish-presidenti, Hashim Thaçi, më 27 prill 2018 – mandat ky i cili parashihej të zgjaste për shtatë vjet deri më 2025.

Kujtojmë se Daka para se të ishte në krye të KQZ-së ka qenë gjyqtare në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2017, në emër të KQZ-së, Daka ka pranuar Çmimin Ndërkombëtar Zgjedhor (vendi i parë) në kategorinë “Menaxhimi i Zgjedhjeve”, në një ceremoni të organizuar nga Qendra Ndërkombëtare për Studime Parlamentare (ICPS).

Të ngjashme