Bllokimi i Demarkacionit e proceseve të tjera mund ta çojë vendin në zgjedhje sivjet

Prishtinë | 04 Jan 2017 | 12:50 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në vend po shihen si alternativë nga partitë opozitare, të cilat insistojnë se qeveria aktuale e udhëhequr nga Isa Mustafa ka humbur legjitimitetin për të vazhduar më tutje dhe për këtë kërkojnë zgjedhje.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike thonë se opozita është e pafuqishme ta dërgojë vendin në zgjedhje. Sipas tyre zgjedhjet e parakohshme do të ishte mirë të ndodhnin për shkak të bllokadës politike.

haradinaj

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në një intervistë për “Ekonomia Online”, thotë se 2017-ta duhet të jetë vit i zgjedhjeve.

Dhe për këtë, Aleanca po përgatitet seriozisht. Koalicioni me Nismën tashmë është i sigurt, ndërkohë që Haradinaj tregon se synon që në koalicion të përfshijë dhe AKR-në e Behgjet Pacollit, dhe disa parti më të vogla.

“Kemi biseduar me AKR-në dhe i kemi propozuar një marrëdhënie trepalëshe. Jemi në pritje të përgjigjes nga AKR-ja, nuk e dimë si do të jetë kjo përgjigje por nëse edhe AKR-ja bashkohet ky blloku ynë opozitar, boshti ynë AAK-Nisma-AKR mund të jetë pretendente me i fitua zgjedhjet. Ne edhe sot jemi pretendentë, kemi 20% të votës AAK-Nisma, 15% i ka Aleanca vetë. Me këtë besojmë se mund t’i fitojmë zgjedhjet nëse na bashkohet edhe AKR-ja”, thotë Haradinaj, me mjaft bindje.

Ndërkohë, ai “nuk mendon” të bashkëpunojë me partitë që tani janë pushtet.

“Nuk mendojmë me punua me LDK-në e PDK-në, për shkak se mendojmë se janë meritore të gjendjes së krijuar. Kemi mendim ndryshe për Lëvizjen për Bashkim, nuk e shohim aq kontribuuese të keqe të këtyre proceseve, po me PDK-në e LDK-në s’kemi ide për koalicion”.

konjufca

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca thotë se zgjedhjet e parakohshme do duhej të ndodhnin në vitin 2017, por për këtë do duhej një presion i madh opozitar.

“Do duhej të kishte, por pa një trysni më të madhe të partive opozitare ndaj qeverisë nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme. Presioni më i madh ndaj qeverisë varet shumë të pozicionimit të AAK-së dhe Nisma-s”.

Ai pohon se prishja e “Bllokut opozitar” pamundësoi rrëzimin e qeverisë dhe për këtë e ka fajësuar AAK-në dhe Nisma-n.

Konjufca tha se kjo parti në zgjedhjet e ardhshme mund të bashkëqeverisë me çdo parti politike, përveç PDK-së dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafës.

mustafa

Por, ndryshe mendon kryeministri Isa Mustafa, i cili në një intervistë për “Ekonomia Online” thotë se nuk ka asnjë arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen në vitin 2018.

“Asnjë arsye nuk kemi që të shkojmë përpara në zgjedhje. Ju e dini se opozita nga dita e parë e qeverisë ka kërkuar të ketë zgjedhje të reja. I bëmë dy vite, prapë po kërkojnë; do të kërkojnë deri më 9 ose 10 qershor të vitit 2018, por unë them se s’do të ketë zgjidhje”, thotë Mustafa.

Megjithatë, Mustafa thotë se LDK-ja është e gatshme në çdo moment për të shkuar në zgjedhje, ndërsa shton se nuk kanë “vija të kuqe” për asnjë parti politike.

15856986_1231583820253663_456350733_o

E në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Adrian Çollaku, në një prononcim për “Ekonomia Online”, thotë se opozita është e pafuqishme që ta dërgojë vendin në zgjedhje.

Por shton se zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin për shkak të proceseve bllokuese, siç është liberalizimi i vizave, demarkacioni, apo edhe Asociacioni.

“Duke pasur parasysh që institucionet janë një bllokadë ose një ngecje totale është e udhës që të shkohet edhe njëherë tek sovrani edhe ai të jep verdiktin e tij se kënd e do, këta që janë në pushtet apo që e mbështesin asociacionit apo këta që faktikisht e kundërshtojnë ose këtë temën tjetër të demarkacionit. Nuk besoj që opozita do të ketë fuqinë, mirëpo është edhe në interesin e PDK-së që të shkojë në zgjedhje. Rasti i Drenasit në një formë a tjetër ka treguar që PDK nuk e ka atë fuqinë që e kishte vite më parë”, thotë ai.

Të ngjashme