Partitë ende pa kandidatë për kryetar të Podujevës, 17 shkurti afati i fundit për aplikim

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 12:28 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi në një prononcim për Ekonomia Online thotë se afati për aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje përfundon më 17 shkurt. Pra, deri në këtë datë subjektet politike (partitë politike, koalicionet, kandidatët e pavarur dhe iniciativat qytetare) duhet të paraqesin aplikimin me emrin e kandidatit të tyre për kryetar të komunës.

Sipas Elezit, subjekti politik i cili në zgjedhjet e fundit ka fituar së paku 1 ulëse në Kuvendin e Komunës në fjalë dhe nuk duhet të mbledhë nënshkrime të përkrahjes dhe as të paguajë për certifikim.

Ndërsa, subjekti politik i cili nuk ka fituar së paku 1 ulëse duhet të mbledhë 100 nënshkrime të përkrahjes së votuesve të regjistruar në atë komunë dhe të paguajë depozitën për certifikim në shumën 200 euro.

‘’Tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me përgatitjet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës, dhe në këtë drejtim i ka përcaktuar të gjitha afatet kohore brenda të cilave duhet të përmbyllen aktivitetet me qëllim të organizimit të këtij procesi zgjedhor. Në këtë drejtim është përcaktuar koha se kur subjektet politike duhet të dorëzojnë aplikimin e tyre për certifikim për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Deri me 17 shkurt subjektet politike duhet të paraqesin aplikimin e tyre si dhe njëkohësisht të paraqesin emrin e kandidatit për kryetar të kësaj komune. Sipas procedurave zyra për regjistrim të partive politike dhe certifikim i shqyrton të gjitha aplikimet dhe pastaj para komisionit qendror të zgjedhjeve paraqet rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë aplikimi’’ shtoi Elezi.

Sipas tij, pas aplikimit, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim i shqyrton të gjitha aplikimet nëse janë në pajtueshmëri me ligjin dhe paraqet në KQZ rekomandimin për certifikim ose jo.

Elezi shpjegon se përmbyllja e këtij procesi i hap rrugë tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim, që duhet të bëhet më së largu më 2 mars, ndërsa më 3 mars mund të fillojnë fushatën e tyre zgjedhore.

‘’Pas aplikimit të subjekteve politike për certifikim i hapet rruga që subjektet politike të bëjnë tërheqjen e shortit për renditjen e tyre, pra në fletëvotimin e zgjedhjeve të 15 marsit. Se kur do të bëhet tërheqja e shortit, kjo është përcaktuar nga KQZ-ja do të bëhet me datën 2 mars, ndërkaq menjëherë pas kësaj duke filluar më datën 3 mars subjektet politike dhe kandidatët do të mund të fillojnë fushatën e tyre zgjedhore e cila sipas vendimit të KQZ duhet të përmbyllet me datën 13 mars’’, thotë ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë erdhën pas dorëheqjes së kryetarit Agim Veliu i cili u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti.

Të ngjashme