PDK-ja fton partitë të marrin pjesë në votimin e Ligjit për kompleksin “Adem Jashari”

Prishtinë | 18 Tet 2018 | 10:47 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën plenare, deputetja Ganimete Musliu kritikoi partitë opozitare për mospjesëmarrjen në votimin e ligjit për komplekset memoriale, raporton Ekonomia Online.

“Politika në vendin tonë ka hyrë në rreth vicioz. Ne asnjëherë nuk kishim besuar se një parti institucionaliste do të mund të rrinte jashtë sallës për një ligj që është bazamenti i institucioneve. Ne nuk kemi besuar që një parti që e ka plot gojën bashkim kombëtar të mos vijë të votojë ligjin për kompleksin Memoral ‘Adem Jashari’”.

Në emër të PDK-së ajo u bëri thirrje partive politike të bashkohen e të marrin pjesë në votimin e ligjit për kompleksin “Adem Jashari”, raporton EO.

“Duke parë sjelljet e disa partive politike len për të kuptuar që dikush dëshiron që Kullat e Jasharajve të rrënohen e historia të harrohet. PDK bën thirrje te të gjitha partitë shqiptare që të bashkohen e ta votojnë ligjin për kompleksin ‘Adem Jashari’ sot, sepse nesër mund  të jetë vonë”, u shpreh Musliu.

Këtë kritikë Musliu e bëri pasi Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së, kërkoi që ligjet për transformimin e FSK-së të shqyrtohen në fillim të seancës.

“Ne kërkojmë që tri ligjet për transformimin e ushtrisë të renditen të parat e pastaj marrëveshjet ndërkombëtare, në mënyrë që ne deputetët të marrim pjesë”.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje kritikoi qeverisjen e koalicionit.

Ai duke iu referuar deklaratës së deputetes Musliu, tha se janë pikërisht ata që po rrehin gjoks për memorialin Adem Jashari, që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje.

Donika Kadaj Bujupi tha se e përkrahin mocionin procedural derisa kërkoi që edhe rezoluta e nxjerrë nga debati  për shtesat e fëmijëve të hidhet në votim.

Të ngjashme