Prokurorja Hajdari e ndryshon aktakuzën për Grabovcin e Beqajn, shtyhet gjykimi për “Pronto”

Prishtinë | 16 Dhj 2019 | 19:51 | Nga Ekonomia Online

Ditën kur pritej që 11 të akuzuarit të jepnin fjalën përfundimtare në rastin e njohur si “Pronto” prokurorja speciale Drita Hajdari, ka vendosur ta ndryshojë aktakuzën.

Ndryshimi është bërë në një pjesë të aktakuzës vetëm për dy të akuzuarit, Adem Grabovci dhe Besim Beqaj.

Ky ndryshim ka bërë që avokatët mbrojtës pas një pauze 10-minutëshe, të vijnë me dy propozime për dëshmitarë.

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Fitim Krasniqi dhe ish-ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Nuredin Krasniqi, do të jenë dëshmitarët, që sipas mbrojtjes, do të tregojnë se Beqaj dhe Grabovci nuk kishin kurrfarë kompetence në anulimin e këtyre konkurseve.

Derisa prokurorja Hajdari, ka kërkuar nga trupi gjykues që të ndalojë fyerjet e avokatëve drejtuar asaj.

Në këtë seancë, trupi gjykues ka refuzuar dy dëshmitarë të propozuar nga i akuzuari Xhavit Dakaj, i cili kërkoi që në këtë seancë të dëgjohen dy mjekët Isuf Dedushaj dhe Ramush Beiqi.

Derisa prokurorja Hajdari ka kërkuar që të administrohen si prova edhe të gjitha vendimet dhe dëshmitë për të akuzuarën Arbenita Pajaziti, e cila gjatë periudhës kur akuzohej se kishte kryer veprën penale, kishte qenë pjesë e Agjencisë së Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale.

Pajaziti në seancën e fundit gjyqësore, i kishte dorëzuar gjykatës një vendim me të cilin sipas saj, dëshmonte se ajo nuk kishte kurrfarë funksioni publik për kohën kur ajo akuzohet.

Të akuzuar në rastin “Pronto” janë 11 persona, në mesin e tyre edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të PDK-së, përfshirë Adem Grabovcin, Besim Beqajn e Zenun Pajazitin./Kohanet

Të ngjashme