Shumë kandidatë për kreun e Podujevës

Prishtinë | 08 Shk 2020 | 10:20 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së djeshme është caktuar data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të mbahen në komunën e Podujevës, por partitë politike ende nuk i kanë publikuar zyrtarisht emrat e kandidatëve, të cilët do t’i përfaqësojnë në garën e 15 marsit. Sidoqoftë, ditëve të fundit në opinion janë përmendur një sërë emrash si të mundshëm për të qenë kandidatë të subjekteve politike në këto zgjedhje.

Pas dorëheqjes së nënkryetarit të LDK-së Agim Veliut nga pozita e kryetarit të Podujevës, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë, të cilat do të mbahen më 15 mars të këtij viti. Si rrjedhojë e kësaj partitë politike kanë nisur të përgatiten për procesin e ri zgjedhor në Podujevë.

Ato madje kanë paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin me emrat zyrtarë të kandidatëve me të cilët pretendojnë ta fitojnë komunën, që deri para pak ditësh e udhëhiqteAgim Veliu, i cili tashmë është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme.

Ndonëse subjektet politike ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidaturat, në medie tashmë janë lakuar emrat e disa personave, të cilët mund të jenë në garë për të parin e Podujevës.

Të ngjashme