Sibel Halimi, kandidate e LDK-së për Kryetare të Ferizajt

Prishtinë | 23 Kor 2021 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Anëtarja e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sociologia Sibel Halimi, do të jetë kandidate e kësaj partie për kryetare në Komunën e Ferizajt.

Kështu ka mësuar Express nga burime brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Halimi momentalisht është zëdhënëse e LDK-së. Ajo i është bashkuar LDK-së më 20 mars të këtij viti, ndërkaq për anëtarësimin e saj pati bërë të ditur vetë kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.

Ndryshe, Sibel Halimi ka mbaruar studimet MA në departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht është e angazhuar si ligjëruese në lëndën “Studime gjinore”, në Departamentin e Filozofisë si dhe asistent profesore për grup lëndësh në departamentin e sociologjisë në Fakultetin Filozofik.

Gjithashtu, është e angazhuar në Qendrën e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC në programin e granteve. Sibel Halimi, njihet si aktiviste për barazi gjinore dhe të drejtat e grave. Me angazhimin e saj, ka arritur që disa çështje që kanë të bëjnë me gratë t`i vërë në fokus të debatit publik. Ajo është aktive edhe në fushën e publicistikës.

Si sociologe ajo boton në vazhdimësi artikuj që trajtojnë problemet e shoqërisë kosovare dhe opsionet për tejkalimin e tyre. Ka të botuara dy libra me poezi: “Kopshti i mëkateve” dhe “Qenia nuk banon këtu” si dhe një sërë hulumtimesh në fushën e studimeve sociale dhe gjinore.

Të ngjashme