Të mërkurën protesta e radhës për shkarkimin e Lumezit dhe “pastrimin” e veteranëve

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 15:59 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Protestoj Kosovë” ka njoftuar se të mërkurën duke filluar nga ora 18:00 do të mbahet protesta e ardhshme për ta kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit Lumezi, për vettingun e gjyqësorit dhe për pastrimin e listave  të veteranëve.

Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët që të jenë pjesë e takimeve grupore ku vendoset për protesta të ardhshme, si dhe të jenë të lirë të marrin parulla me vete “duke formësuar kursin e protestave në të ardhmen”, raporton Ekonomia Online.

“Sistemi gjyqësor prokurorial dhe gjykatat të cilat janë vënë në shërbim të politikanëve, siç u pa te rasti i fryrjes së listave të veteranëve, pamundësojnë jetesën e qytetarëve të vendit në një ambient më të sigurt”, tha Gramos Buçinca, nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

“Sundimi i ligjit, i cili është njëra ndër shtyllat bazë për një shoqëri demokratike, në situatë në të cilën ndodhemi është sfiduar deri në atë masë sa kryeministri, kryeprokurori dhe politikanët në pushtet ofendojnë në mënyrë të hapur një prokuror në mënyrë të koordinuar dhe krijojnë një atmosferë armiqësore ndaj kujtdo që do të vazhdojë të hetojë rastin e veteranëve mashtrues”, tha Buçinca.

“Ne i ftojmë të gjithë qytetarët e pakënaqur që të protestojnë për pakënaqësinë që kanë. Secili është i lirë të marrë parulla me vete dhe secilit do t’i jepte mundësia ta formësojë kursin e protestave në të ardhmen bashkë me ne. Secili qytetar është i mirëseardhur në takimet grupore ku vendoset për protesta të ardhshme”, tha Buçinca.

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, tha se Kosova nuk mund të bëhet kurrë pjesë e BE-së nëse ka një sistem të dobët të drejtësisë e sidomos i ndikuar nga politika, raporton EO.

“Rruga e vendeve të BE-së dhe Kosovës për t’u integruar është sundimi i ligjit, nëse flasim për një sistem të tillë të ndikuar nga politika nuk mund të presim që Kosova të jetë pjesë e BE-së”, tha Demhasaj.

Demhasaj tregoi se qëllimi i protestës është të kërkohet llogaridhënie për kryeprokurorin Lumezi dhe dorëheqja apo shkarkimi i tij.

“Protesta ka për qëllim të kërkojë llogaridhënie për kryeprokurorin e që njëkohësisht kërkon  dorëheqjen ose shkarkimin e tij nga ky funksion. Po ashtu duhet të fillojë një proces i pastër ose i thellë i vettingut i komplet sistemit të drejtësisë, duke mos përjashtuar as Policinë, Prokurorinë edhe Gjykatat; kjo për arsye sepse e dimë që edhe policia janë të involvuar në procesin e hetimeve që prokurorët zhvillojnë”, tha Demhasaj.

Të ngjashme