Thaçi: Disa liderëve në Kosovë u mungon patriotizmi

Prishtinë | 04 Qer 2017 | 14:26 | Nga

Presidenti Hashim Thaçi ka përzgjedhur një media kroate për të folur për zgjedhjet në Kosovë. Ka thënë se disa liderë të Kosovës janë të mbushur me patriotizëm derisa disa të tjerë kanë zbraztira.

Nuk ka përmendur emra, por ka thënë se do të bashkëpunojë me secilin që bëhet Shef i Qeverisë. Presidenti Thaçi ka folur edhe për krahun e luftës dhe të paqes, “Shqipërinë e Madhe” dhe pozitën e pakicës kroate në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se disa liderë të Kosovës janë të mbushur me patriotizëm derisa disa të tjerë kanë zbrastësira. Këto vlerësime i ka bërë kur ka folur për fushatën zgjedhore në Kosovë.

Në një intervistë për një medie të Kroacisë, Thaçi ka thënë se do të punojë me cilindo liderë që votohet për Kryeministër të Republikës.

“E kaluara e çdo lideri politik tanë është ashtu siç është dhe nuk mund të ndryshohet ose të shlyhet. Te disa ajo është e mbushur me patriotizëm kurse të tjerët kanë zbrazëtira në këtë kuptim. Megjithatë, të gjithë ata janë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kështu që për mua s’ka rëndësi kush do ta udhëheqë Qeverinë e re të Kosovës. Mbështetjen time do ta ketë secili që është në gjendje ta sigurojë prosperitetin e Kosovës”, ka thënë Presidenti Thaçi, për direktno.hr, përcjell Express.

Presidenti s’ka përmendur se kujt po i referohet si liderë të mbushur me patriotizëm dhe kush ka zbraztira. Sidoqoftë, në zgjedhjet e 11 qershorit, liderët që konkurrojnë për Shef të Qeverisë janë: Ramush Haradinaj, Abdullah Hoti dhe Albin Kurti.

Haradinaj synon të bëhet Kryeministër i nominuar nga Partia e themeluar nga Thaçi, derisa Hoti e ka përkrahjen e LDK’së, AKR’së dhe Alternativës. Ish-lideri i studentëve, Albin Kurti, ndërkaq, ka përkrahjen vetëm të Vetëvendosjes.

Në këtë fushatë ka pasur akuza dhe ndarje në atë të krahut të luftës dhe të paqes. Në qytetarë që kanë ikur nga lufta dhe ata që kanë qëndruar në fronte.

Me këtë rast, ish-Kryeministri dhe ish-udhëheqësi politik i UÇK-së ka thënë se në Kosovë s’ka qytetarë të kanë luftuar dhe qytetarë që kanë ikur prej frontit.

“Në thelb- të gjithë kemi dalë nga lufta dhe i kemi ndje pasojat e saj”, ka thënë ai. Presidenti Thaçi ka folur edhe për idenë e “Shqipërisë së Madhe”, duke thënë se shqiptarët do të bashkohen në BE derisa ka akuzuar Serbinë është shpikëse e këtij termi.

“Duhet theksuar se historia e Shqipërisë së Madhe është propaganda mediale dhe politike e tyre, sepse në Kosovë për këtë nuk mendon askush. Vet termin Shqipëria e Madhe e kanë shpikur ata për ta destabilizuar rajonin”, ka deklaruar ai.

“Dua të jem i qartë: ne punojmë për hapjen dhe jo për ndryshimin e kufijve tona”.

Shefi i Shtetit ka thënë se synojnë të jenë sikur Kroacia në rrugën për në BE.

“Ndjehem krenar si president, sepse djemtë dhe vajzat e popullit tim ia mbajtën anën Kroacisë në luftën për pavarësi.

“E deklaratat të cilat i jep Presidenti i Serbisë në të vërtetë shërbejnë për aplikimin e tyre të brendshëm politik. Kosova është shtet i pavarur, shtet sovran, ne do të punojmë për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që së fundi ta arrijmë marrëveshjen e ndërsjellë e cila do të çojë deri te njohja reciproke. Besoj se kjo do të ndodh në të ardhmen e afërt”, ka shtuar ai.

Ai ka premtuar se komunitetit kroat do t’i bëjë vend në Parlamentin e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme