“Unë të votova ty, ti votoje Trustin”, qytetarët kërkojnë nga deputetët ta miratojnë tërheqjen nga Trusti

Prishtinë | 26 Maj 2022 | 12:17 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me kërkesën që të lejohet tërheqja e mjeteve deri në 30 për qind nga Fondi Pensional, qytetarë e deputetë të opozitës kanë protestuar para objektit të Qeverisë të enjten. Ata kanë kërkuar nga Qeveria dhe pushteti që të lejojnë një gjë të tillë, duke thënë se janë mjetet e tyre dhe jo të Qeverisë, raporton Ekonomia Online

Me pankarta në duar, protestuesit kanë kërkuar nga deputetët që ta votojnë Projektligjin, kur ai të vijë në seancë.

“Unë të votova ty, ti votoje trustin”, “Djersa është e jona, lejoni kursimet tona”, “Trusti është i joni jo i Qeverisë”, ishin disa nga thirrjet e qytetarëve në këtë protestë.

Për tërheqjen e mjeteve nga Trusti janë shprehur edhe punëtorë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Sipas kryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, mbi 90 për qind e punëtorëve janë shprehur pro kësaj tërheqjeje.

“Ne si Sindikatë e Re e KEK-ut kemi bërë disa sondazhe me punëtorë, dhe del se mbi 90 për qind e tyre kanë shprehur vullnetin për tërheqjen e mjeteve, sepse dihet gjendja e tyre. Gjendja socio-ekonomike është e rënë pas pandemisë dhe me të vërtetë punëtorët kanë nevojë. Por kjo nuk do t’ju ndihmojë vetëm punëtorëve, por mbarë qytetarëve të Kosovës. Ato janë kursimet tona, ato nuk janë kursimet e qeverisë. Ata që nuk kanë dëshirë t’i tërheqin ato mjete le t’i lënë aty”, tha ai.

“Vullneti i të gjithëve është për t’i tërhequr ato mjete. Ne nuk shohim investim në vendin tonë edhe për kundër papunësisë e ikjes së qytetarëve. Lus Qeverinë, Parlamentin e partitë politike që të votojnë pro kësaj tërheqje sepse sot o kurrë kemi nevojë”, tha Llumnica.

E njëri nga organizatorët e kësaj proteste, Adnan Jashari, ka thënë se protesta do të përsëritet nëse nuk votohet pro tërheqjes së Trustit.

“Do të presim që në javën e ardhshme Kuvendi i Kosovës ta vendosë në rend të ditës tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Nëse nuk ndodh, do të dalim sërish në protestë. Nuk i duam paratë për qejfe, por sepse jemi në gjendje të vështirë. Çmimet janë rritur, pagat kanë mbetur të njëjta. Prandaj duam kursimet tona”, tha Jashari.

Pjesë në këtë protestë janë edhe disa deputetë të PDK-së dhe AAK-së.

Opozita është pro lejimit të një tërheqje të re nga Trusti, por pushteti këmbëngul se një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë e vendit.

Ndryshimi ligjor që mundëson tërheqjen ka shkuar në Kuvend pa aprovimin e Qeverisë dhe të Komisionit të Buxhetit.

Protestuesit kanë paralajmëruar protesta tjera nëse nuk lejohet tërheqja.

Lexo më shumë:

Të ngjashme