Vdes nga Covidi profesori dhe zyrtar i LDK-së

Prishtinë | 13 Nën 2020 | 22:57 | Nga Ekonomia Online

Si pasojë e COVID-19 ka ndërruar jetë profesori Milaim Berisha, i cili ishte pjesë e trupës pedagogjike të gjimnazit “Ahmet Gashi” në kryeqytet.

Lajmi u konfirmua nga vetë shkolla, që shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen.

“Me pikëllim të thellë iu njoftojmë se si pasojë e virusit COVID-19 u nda nga jeta mësimdhënësi i shkollës sonë prof. Milaim Berisha”, thuhet në njoftimin e shkollës.

Gjimnazi “Ahmet Gashi” tha se profesori i ndjerë ishte model shembull për mësimdhënësit dhe do të mbahet mend për kontributin e vyer në arsim.

“Prof. Milaim Berisha ka qenë modeli më i mirë i mësimdhënësit shembullor. Ai dha një kontribut mjaft të vyer në arsim e sidomos në gjimnazin tonë”.

Me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Milaim Berisha, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka dërguar një telegram ngushëllimi.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të LDK-së dhe mësimdhënësit shumëvjeçar, Milaim Berisha.

Prof. Berisha do të mbetet model i mësimdhënësit punëtor dhe i përkushtuar për të arsimuar gjenerata të tëra.

Në emrin tim personal dhe të LDK-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Berisha, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij!”

Prof. Berisha në zgjedhjet e fundit ishte kandidat i LDK-së për deputet.

Të ngjashme