Vendoset që objekti i Gërmisë të përdoret për Sallën Koncertale, qeveria paguan për shpronësim

Prishtinë | 23 Tet 2018 | 15:00 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta kryejë pagesën e mjeteve për nevojat e shpronësimit të ndërtesës së N.Sh. “Gërmia”.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky vendim vjen pas donacionit 15 milionë eurosh për ndërtimin e Sallës Koncertale, raporton Ekonomia Online.

“Komisioni Evropian ka ndarë një buxhet për një sallë koncertale. Pas shumë diskutimeve, objekti ma adekuat është objekti i Gërmisë. Dedikimi i objektit ndërron dhe në objekt mund të vazhdohet me procedurat që të vazhdohet me donacionin nga 11-15 milionë euro. Pra, janë pare falë”.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se procedurat tashmë janë përfunduar dhe duhet të kryhet pagesa prej 20 për qind e vlerës së këtij objekti.

Sipas tij, kjo kap vlerën mbi 1.5 milionë euro, raporton EO.

Ndërsa ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, kërkoi që gjatë trajtimit të kësaj çështjeje të kihet kujdes.

Ai  kërkoi që të bashkëpunohet me ministrinë në mënyrë që gjithçka të përfundojë në përputhje me Ligjin për Trashëgimi  Kulturore.

“Lus në përputhje edhe me Ligjin për Trashëgimi të kenë një bashkëpunim me ministrin e Kulturës dhe institutin që të mos ketë shkelje të ligjit”.

Në këtë mbledhje u ndanë mjete edhe për disa objekte të tjera.

Për objektin afarist përdhes ish-Barnatorja e Qytetit – 35 mijë euro; për nevojat e shpronësimit të ndërtesës së ish-NSh “Rilindja” – 3.3 milionë, për nevojat e shpronësimit të ish-ndërtesës “Banka Themelore e Bankës së Lubjanës” – 1 milionë e 153 euro.

Të ngjashme