Veseli: Karantina të na shërbejë si periudhë reflektimi për kujdes ndaj natyrës

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në Ditën e Tokës ka thënë se qëndrimi në shtëpi gjatë kësaj periudhe bën që të gjithë të ndjejnë mungesën e natyrës.

Veseli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se karantina duhet të shërbejë si periudhë reflektimi për ta vlerësuar e për t’u kujdesur më shumë për trashëgiminë tonë natyrore.

“Dita e Tokës sivjet na ka gjetur të mbyllur në shtëpi, por kjo nuk duhet të na pengojë për të menduar në mënyrë ekologjike për shtëpinë tonë të madhe të përbashkët. Madje besoj se qëndrimi i zgjatur në shtëpi gjatë kësaj periudhe, na ka bërë të gjithëve që t’ia ndiejmë më shumë mungesën natyrës, florës dhe faunës së pasur të Kosovës. Prandaj karantina duhet të shërbejë edhe si periudhë reflektimi për ta vlerësuar e për t’u kujdesur më shumë për trashëgiminë tonë natyrore”, shkruan Veseli.

Ai ka thënë se të gjithë mund të bëjnë pjesën që u takon për të mbrojtur mjedisin duke mos ndotur

“Ambienti i gjelbër dhe stili i jetës në harmoni me natyrën duhet parë si parakusht për të pasur një jetë më të shëndetshme e të bukur. Të gjithë ne mund të bëjmë pjesën që na takon për të mbrojtur mbjedisin duke mos ndotur, duke harxhuar më pak burime natyrore apo duke përdorur materiale të ricikluara e burime të energjisë të ripërtëritshme. Gëzuar Ditën e Tokës”, shkruan Veseli.

Të ngjashme