Vetëvendosje refuzon ftesën e presidentit Thaçi

Prishtinë | 03 Nën 2016 | 18:05 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në tryezën e organizuar nga presidenti Hashim Thaçi, për të biseduar për reformën zgjedhore.

Këtë qëndrim e ka shpalosur lideri i VV-së, Visar Ymeri, i cili ka thënë se tanimë është vonë për një takim të tillë dhe se zgjedhjet janë opsioni i vetëm dhe i fundit për tejkalimin e situatës së krijuar.

“Sot në zyrat e Lëvizjes ka mbërritur një ftesë nga Hashim Thaçi, i cili thotë se dëshiron të mbledhë partitë politike për një reformë zgjedhore. Tash, në kohën kur korrupsioni kronik i qeveritarëve të PDK e LDK në nivele qendrore e lokale është bërë publik edhe ndërkombëtarisht nuk kemi kohë për reformë zgjedhore – nevojiten zgjedhje!”, ka shkruar Ymeri, në faqen e tij në Facebook.

“Tash kur institucionet e qeveria e Kosovës e kanë humbur legjitimitetin pas projekteve antikombëtare të kësaj qeverie, projekte që sollën tensionim të paparë mes qeverisë e popullit, nuk është koha për reforma por për zgjedhje! Tash kur populli i Kosovës i varfëruar deri në skaj e gjithnjë e më i papunë prej privatizimeve të kësaj klike po merr rrugët e emigrimit si pasojë e faktit që qeveria PDK-LDK nuk ka ndërmarrë asnjë politikë në ndihmë të ekonomisë e punësimit, tash s’është koha për reforma, por vetëm për zgjedhje”.

“Zgjedhjet e reja, po të mbahen të ndershme, do të prodhonin legjitimitet për institucionet dhe mbi të gjitha do të sillnin mundësinë për ndryshim që aq shumë i duhet Kosovës. Pra, e refuzoj këtë ftesë për reformë zgjedhore. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. Në të mirë të vendit”, thekson Ymeri.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/thaci-fton-ne-takim-lideret-politike-per-reformen-zgjedhore/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme