Vetëvendosje të premten në protestë para Prokurorisë së Shtetit

Prishtinë | 24 Pri 2019 | 13:15 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se të premten do të fillojë protesta kundër Prokurorisë së Shtetit, para zyrës së kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi, raporton Ekonomia Online.  

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, tha se prokuroria dhe kryeprokurori i saj duhet të jap llogari për skandalet që kanë ndodhur.

Ajo tha se skandalet në nivele të larta vetëm sa janë rritur.

“VV-ja ka nis me protesta kundër “PANhajnisë”,  të premten para Prokurorisë së Shtetit. Para saj është, sepse “PANhajnia” nuk do ishte në këmbë nëse do kishte veprim ndaj skandaleve qeveritare. Në krye të saj u zgjodh Aleksandër Lumezi. Në vend të prezantimit të një reforme, Lumezi përmendi dy premtime. E para ishte luftimi i korrupsionit që nuk ndodhi dhe e dyta ishte për krimet e luftës që nuk ndodhi asnjëherë. Këto kohë sa është në krye Lumezi, skandalet në nivele të larta vetëm sa janë rritur. Kosova vazhdon të jetë vendi më i pazhvilluar dhe është vendi më i korruptuar. Qytetarët po e lëshojnë Kosovën. Korrupsioni në institucione ka tendencë të normalizohet dhe më e keqja ajo po ndodhë në sy të prokurorisë”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Prokuroria është e pafuqishme përballë kriminelëve edhe të korruptuarve.

“Ne jemi të bindur se edhe kryeprokurori Lumezi dhe sistemi prokurorial po e përcjellin këtë konferencë prandaj po i kërkojmë kryeprokurorit ta njoftojë publikun se ku kanë ngecë hetimet për rritjen e pagave të qeverisë, pse është e vështirë të ngritën aktakuza, a ka pasur hetime të subvencioneve në ministrinë e Bujqësisë, hetime për Bechtel Enkan, për librin e Thaçit dhe deklaratat për shkëmbim territorial, a ka pasur hetime për kompanitë, gurthyesit e paligjshëm, për vjedhjen e qytetarëve nga ZRrE-ja. Tre qytetarë humbën jetën në QKUK. Dy raste mbetën të pasqaruara. Ku kanë mbetur hetimet. Pse askush nga menaxhmenti i QKUK-së nuk është para përgjegjësisë. A ka pasur hetime për krimet e luftës, çka ka ndodhë me kallëzimet për viktimat e dhunës seksuale”, tha Haxhiu, raporton EO.

Ajo tha se nuk është parë nevojë më e madhe e qytetarëve për të marrë pjesë në protestë asnjëherë më shumëse tash.

“Asnjëherë nuk kemi pa nevojë më të madhe nga qytetarët për tu organizuar. Është e qartë që qytetarët janë jashtëzakonisht të shqetësuar me këtë gjendje”, tha ajo.

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, tha se krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk ka qenë asnjëherë më i fuqishëm dhe i pranishëm se tash.

“Këshilli Prokurorial paska thënë se protesta e VV-së është ndërhyrje në drejtësi. Kjo i bie se ata nuk e kuptojnë një të drejtë themelore të njeriut. Ne si Vetëvendosje nuk jemi kundër drejtësisë dhe kundër institucioneve të shtetit tonë që janë institucione të drejtësisë. Populli jonë me shumë mund i ka ndërtuar këto institucione. Ne jemi për me kritiku njerëzit që janë në krye të institucioneve të drejtësisë e që janë duke e shkatërruar sistemin e drejtësisë. Pas gjithë këtyre viteve sa është në krye të prokurorisë mund të them se krimi i organizuar kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm se sot dhe se korrupsioni kurrë nuk ka qenë më i guximshëm se sot”, tha Konjufca.

“Prandaj Lumezi si udhëheqës nuk mund të amnistohet. Në Kosovë më shumë se gjysma e rasteve të korrupsionit ndodhin dy fenomene që prokurorët janë përgjegjës. Pushimi i hetimeve pa kurrfarë shpjegimi për rastet e korrupsionit dhe braktisja e rasteve nga prokurorët. Ky është vallëzim tango, që janë dy palë e njëra palë është Aleksandër Lumezi që po vallëzon me pushtetin. Duhet me ndërpre këtë qeverisje dhe me iu dhënë shanse qytetarëve për zgjedhje”, tha Konjufca.

Ai ftoi partitë opozitare që të bashkohen dhe të mbështesin këtë protestë.

Të ngjashme