Vigan Qorrolli, mbështetësi i LVV-së, që po tenton të bëhet gjykatës i Kushtetueses

Prishtinë | 07 Maj 2021 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

Vigan Qorrolli po synon të bëhet gjykatës i Gjykatës Kushtetuese. Qëndrimet e tij prej juristi së fundmi kanë qenë gjithnjë në kundërshtim me vendimet e kësaj gjykate. Me forcimin e Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike, Vigan Qorrolli përmes postimeve të tij në Facebook dhe paraqitjeve në media shprehej pothuajse gjithnjë në sinkroni me partinë e Albin Kurtit, kryeministrit aktual.

Juristi Vigan Qorrolli, i cili ishte në krahun e Lëvizjes Vetëvendosje sa herë që Gjykata Kushtetuese e hudhte poshtë ndonjë ankesë të këtij subjekti politik, tani po synon që të bëhet gjykatës pikërisht në këtë gjykatë, që është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në Kosovë.

Afati i aplikimit për gjykatës të Kushtetueses ka përfunduar para disa ditësh, ndërsa emri i Qorrollit është i pari në listën e kandidatëve të publikuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Deri më sot në orën 16:00, kanë aplikuar 11 kandidatë: Vigan Qorrolli, Hava Bujupaj-Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Hilmi Jashari, Valbona Shala-Thaqi, Visar Morina, Haxhi Xhemajli, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi”, thuhet në njoftimin e Kuvendit, të datës 21 prill.

Edhe më herët, Qorrolli kishte tentuar të bëhej gjykatës në Kushtetuese. Ai akuzonte se disa kandidatë favorizoheshin politikisht.

“Politika ka favorizuar disa kandidatë, përballë disa të tjerëve, duke mos i lënë deputetët e lirë të votojnë me ndërgjegjen e tyre dhe t’i votojnë njerëzit më të mirë në bazë të CV-së së tyre, ka bërë që Gjykata Kushtetuese të lëndohet më shumë se që është lënduar”, shprehej ai në RTV Dukagjini në gusht të vitit 2018.

Ai thoshte se deputetët ishin të detyruar të votonin pro përkrahësve të partive në qeveri, ndërsa këtë herë mund t’i duhet të shpresojë për të njëjtën.

“Kam tentuar që të jem një kandidat bipartizan, që t’i bindi të gjitha partitë politike që jam kandidati më i pavarur nga të gjithë të tjerët. Nuk ia kam dalë, sepse deputetët nuk janë lejuar të votojnë lirshëm dhe partitë e pushtetit kanë bërë pazare që t’i votojnë kandidatët e tyre të preferuar”, deklaronte Qorrolli.

Në tentimin e para tri viteve, ai kishte marrë më së paku vota (6) në Kuvendin e Kosovës, duke dështuar të bëhet gjykatës në Kushtetuese.

Por këtë herë Qorrolli duket se ka më shumë gjasa që ta arrijë synimin, pasi partia që ai e mbrojti vazhdimisht, tani është në pushtet dhe e ka shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Votat e shumicës së deputetëve nevojiten për t’u zgjedhur një gjykatës i Kushtetueses.

Mbështetja e Qorrollit për LVV-në

Me forcimin e Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike, Vigan Qorrolli përmes postimeve të tij në Facebook dhe paraqitjeve në media shprehej pothuajse gjithnjë në sinkroni me partinë e Albin Kurtit, kryeministrit aktual.

Kur Qeveria e parë e Albin Kurtit ishte rrëzuar dhe LVV kërkonte që të shpalleshin zgjedhjet e reja, Qorrolli shprehej po njësoj, se pushteti i takon vetëm partisë që del e para në rezultatin zgjedhor.

“E vetmja zgjidhje shihen zgjedhjet. Meqë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (2014) thotë shprehimisht se presidenti nuk ka diskrecion në refuzimin e kandidatit për kryeministër – po ky aktgjykim në petitumin e tij (pika dh.) thotë se, ‘në rast se kandidati për kryeministër nuk merr votat e nevojshme…’, dhe nuk flet nëse një kryeministër rrëzohet me mocion mosbesimi por, flet vetëm në rast se kandidati për kryeministër nuk e merr besimin e shumicës së nevojshme parlamentare (61 vota)”, shkruante Qorrolli.

Ai shprehej se “vetëm në pikën (e) të petitumit, ky aktgjykim flet për dhënien e serishme të së drejtës për partinë e njëjtë por, me mandatar (kandidat për kryeministër) tjetër”.

“Kjo do të thotë se pa Lëvizjen Vetëvendosje NUK mund të bëhet qeveria e re”, theksonte Qorrolli.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte krejtësisht ndryshe. Kushtetuesja i dha të drejtë partisë së dytë që ta formojë qeverinë e re.

Megjithatë, gjatë kësaj kohe, Qorrolli citohej e thirrej edhe si analist politik. Ai fliste për pazare, ndërsa thoshte se atëherë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte shkelur Kushtetutën duke ia dhënë një partie tjetër (LDK-së) të drejtën për të caktuar mandatarin për kryeministër.

“Ka një shantazh të demokracisë së Kosovës. Kushtetuta e përcakton se në rast të dështimit të zgjedhjes së kryeministrit për herë të parë apo arsye të tjera, posti i tij mund të jetë vakant, nuk e përcakton qartë në rast të mocionit apo ndonjë rasti tjetër. Është hera e parë që ndodh kjo situatë që një qeveri të bëhet për herë të dytë sipas nenit 95 dhe kësisoj kemi në mungesë të një norme të qartë kushtetuese e cila përcakton një afat të qartë se kur fituesi i zgjedhje i përgjigjet Presidentit. Në një situatë të tillë, presidenti nuk është palë e ndonjë strukture politike. Ai ka përdorur një diskrecion që nuk e ka”, deklaronte Qorrolli.

Edhe më qartë ai shpehej kur thoshte se Thaçi po ngutej që Kurtin ta largonte sa më shpejt nga pushteti.

Por paanshmëria është fjala shumë e rëndësishme e betimit që gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese duhet ta japin kur e marrin detyrën.

Së shpejti duhet të formohet një Komision i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese. Ky Komision i duhet t’ia paraqesë Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas ligjit, Komisioni zhvillon intervistë me secilin kandidat i cili i plotëson kushtet për t’u zgjedhur gjykatës i Gjykatës Kushtetuese dhe në bazë të të dhënave të paraqitura dhe rezultateve të intervistës, përgatit listën e ngushtë të kandidateve të kualifikuar. Lista e ngushtë përmban më shumë kandidatë sesa numri i gjykatësve të cilët do të zgjedhën, por jo më tepër se pesë kandidatë për një pozitë gjykatësi.

Komisioni, bashkangjitur me listën e ngushtë, ia dërgon Kuvendit të listën e të gjithë kandidatëve të cilët i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Në fund, në organin më të lartë ligjvënës të vendit, me shumicë votash vendoset se cili nga ta do të përzgjidhet për ta marrë këtë detyrë.

Të ngjashme