Vizita e Haradinajt reflekton frymë të re të raporteve Kosovë – Maqedoni

Prishtinë | 17 Pri 2018 | 14:11 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj nesër do ta vizitojë Maqedoninë, ndërsa do të realizojë takim me kryeministrin Zoran Zaev, liderin e BDI-së, Ali Ahmeti edhe me përfaqësues të tjerë politikë.

Gjatë takimit temë bisede do të jenë raportet ndërmjet dy vendeve, si dhe do të definohet data se kur do të mbahet seanca e përbashkët e të dyja shteteve.

Por, gazetari dhe opinionisti Naser Pajaziti thotë se vizita e Haradinajt reflekton një frymë të re të raporteve Kosovë – Maqedoni.

“Vizita e Haradinajt reflekton një frymë të re të raporteve Kosovë – Maqedoni, kur kemi parasysh periudhën e qeverisjes së kaluar të Gruevskit që ishte në sinkron me direktivat e Daçiqit. Brenda një periudhe të shkurtër kemi takime dhe vizita nga dyja palët në nivel të ministrave. Thelbësore është fryma e bashkëpunimit që e shtron rrugën për marrëveshje dhe projekte të interesit të ndërsjellë. Ardhja e Haradinajt ka edhe simbolikën e vet. Por sigurisht se kjo vizitë nuk do i pëlqej as dikujt në Shkup”, thotë për Zhurnal, Naser Pajaziti, gazetar dhe opinionist.

Nga ana tjetër, analisti nga Prishtina, Sefer Zogaj thekson se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj duhet të jetë i interesuar për marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë, jo vetëm për shkaqe diplomatike por edhe si obligim ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

“Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj duhet të jetë i interesuar për marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë, jo vetëm për shkaqe diplomatike por edhe si obligim ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Duke pasur parasysh që kemi dy shtete shqiptare, atëherë këto dy shtete kanë obligime të veçanta për shqiptarët që jetojnë jashta shteteve të pavarura shqiptare. Largimi i pushtetit antishqiptar në Maqedoni lejon hapësirë më të mëdha për bashkëpunime në mes dy shteteve”, thekson për Zhurnal, Sefer Zogaj, analist.

Ai thotë se dy vendet duhet të dakordohen për më shumë investime direkte reciproke, më shumë mundësi biznesi.

“Më shumë investime direkte reciproke, më shumë mundësi biznesi, bashkëpunime në fushën e arsimit dhe bashkëpunime në segmente tjera të jetës duhet të jenë pika kyqe të një raporti korrekt në mes dy shteteve”, vlerëson Zogaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme