Vllahiu i AAK-së tregon çfarë folën Haradinaj e Mustafa prapa kamerave

Prishtinë | 12 Sht 2017 | 08:32 | Nga

Arbër Vllahiu nga kabineti i kryeministrit të ri të Kosovës, Ramush Haradinajt, ka treguar në Klan Kosova se çfarë kanë biseduar prapa kamerave dorëzuesi i detyrës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe pranuesi, Ramush Haradinaj.

“Natyrisht se ka pasur biseda edhe më pas, kur nuk kanë qenë kamerat. Janë biseduar çështje të zakonshme të bartjes së pushteti nga njëra palë tek tjetra”, ka pohuar Vllahiu.

“Një bashkëbisedim në mes të një njeriu që lëshon detyrën dhe tregon deri ku kanë shkuar proceset dhe një njeri tjetër që e merr detyrën dhe që do t’i çojë proceset përpara”.

Rrotacioni politik, sipas Vllahiut u bë me respekt të ndërsjellë, por me nuanca hidhërimi në njërën anë, e në tjetrën gëzimi.

“Ishte një takim mes gëzimit dhe hidhërimit. Ka pasur respekt brenda gjithë kësaj pune normalisht. Ka pasur një raport fer në mes të dyja palëve, gjithashtu edhe mirëkuptim për të kryer këtë proces që është për të mirë të vendit”.

Vllahiu ka komentuar edhe vendimin e parë të Haradinajt si kryeministër i ri për shkarkimin e komisionit shtetëror për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Me atë version të demarkacionit nuk mund të shkohet më tutje prandaj komisioni dhe zotëri Meha shkarkohen dhe caktohet një komision i ri, i cili do ta përmbyllë këtë proces të rëndësishëm”.

I pyetur se a ka kontakte me Malin e Zi dhe njoftim për qëndrimet e kryeministrit të ri kosovar, Vllahiu ka thënë se “të gjitha çështje janë në diskutim edhe me palët e tjera”.

“Në këtë mes të gjithë janë të vetëdijshëm dhe e kanë pasur të qartë qëndrimin e Haradinajt, prandaj në këtë mes nuk ka asgjë të paqartë”.

Kryeministri i ri e ka nisur ditën me shumë takime e ngjarje dhe Vllahiu ka siguruar se të gjitha ditët e qeverisjes së tij të njëjta do të jenë.

“Çdo ditë do të jetë kështu si dita e parë, me shumë punë, me shumë aktivitete, për t’ia kthyer dinjitetin Kosovës”.

“Këto takime janë cilësore, angazhime, premtime dhe aktivitete për të gjetur zgjidhje”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme