VV-ja tregon se kur do t’i shpall kandidaturat për kryetarë komunash

Prishtinë | 24 Kor 2021 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt politik që ende nuk i ka bërë publike kandidaturat për kryetarë komunash.

Gazeta Blic për të pyetur më gjerësisht rreth kësaj çështjeje dhe kur pritet të shpallen emrat për kryetarë komunash ka kontaktuar me Ud. e detyrës së Shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari Lila ka thënë se çështja e kandidaturave ka qenë duke u trajtuar në parti këto ditë por se nuk ka informacion se kur shpallen.

“Ka qenë këto ditë duke u trajtu si çështje, por nuk e di saktë ditën kur shpallen” tha Kusari-Lila për “Gazeta Blic”.

Ndërkohë “Gazeta Blic” nga burime të saj brenda VV-së merr vesh se në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së VV-së, Mytaher Haskuka ka marrë mbështetjen e nevojshme për të kandiduar edhe për një mandat për të parin e Prizrenit.

”Haskuka thuajse ka marrë mbeshtetjen e të gjithë kryesisë. Ndërsa, Drita Millaku thuajse nuk ka gjetur mbështetjen te asnjë nga anëtarët e Kryesisë së VV-së”, thonë burimet e Gazeta Blic.

Pofesori universitar, Muhamed Kelmendi, duke folur për “Gazeta Blic” ka dhënë dy arsye se pse ky subjekt politike ende nuk i bën publike kandidaturat.

E para sipas Kelmendit ka të bëjë me garën mes grupeve rivale brenda VV-së dhe faktori i dytë sipas tij është konflikti midis VV-së dhe grupimit politik të Vjosa Osmanit.

“Në kuader të kandidatëve te VV-së për kryetar të komunave ka mendime dhe të dhëna të ndryshme pse nuk po i bëjnë publike emrat e kandidatëve VV-ja. Zakonisht partitë i publikojnë 4-6 muaj para zgjedhjeve kandidatët e tyre.Në VV duket se jane dy çështje që kanë ndikuar për mos publikim.1. Në kuader të vetë VV-së ka kunderthënie dhe fërkime të mëdha midis grupeve politike për kandidatët që duhet të dalin në zgjedhje. Grupet që po sundojnë janë të ndryshme. Duket se së paku jane tri grupe në VV që luftojnë per kandidatët e vet.2. Eshtë konflikti midis VV-së dhe grupimit politik të Vjosa Osmanit. Këta po dojnë kandidatët e vetë për kryetar. VV -ja kandidatët e vetë.Këtej ka fërkime dhe natyrisht se këto dy fakte kanë berë që mos të kemi publikim ende të kandidatëve të VV -së për kryetar” tha Kelmendi për “Gazeta Blic”

“Gazeta Blic” ka provuar të kontaktojë në lidhje me këtë çështje edhe drejtuesin për media të LVV-së, Arlind Manxhuka, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në thirrjen tonë.

Ndërkohë subjektet e tjera politike tashmë i kanë zyrtarizuar kandidatët  për kryetarë komunash dhe kanë filluar parafushatën.

Një garë e ‘nxehtë” pritet të jetë kryeqyeti ku  në garë janë Uran Ismaili i PDK-së, Përparim Rama i LDK-së, Daut Haradinaj i AAK-së dhe me shumë gjasa edhe Arben Vitia i LVV-së.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen me 17 tetor dhe janë gati një vit pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit.

Të ngjashme