Ymeri në Deçan zotohet se Kosova do ta ketë ushtrinë e vet

Deçan | 04 Qer 2017 | 15:44 | Nga

Në tubimin elektoral të Deçanit kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se pas një jave do të jetë dita e VV-së. Kurse për “Fillimin e Ri” të premtuar nga partia që ishte në pushtet vazhdimisht gjithë këto vite, tha se nuk është asgjë tjetër përveçse pushteti i këtyre 18 vjetëve.

“Nuk ka kurrëfarë fillimi të ri, mbase janë disa emra të ri që do të vazhdojnë avazin e vjetër. Një Kosovë e re do të jetë një Kosovë e cila e zhvillon ekonominë e vet, një Kosovë që përfundimisht ia mbyll derën Serbisë, dhe jo një Kosovë që deporton aktivistë nga Shqipëria”, tha Visar Ymeri në tubimin zgjedhor në Deçan.

Ai është zotuar se Republika e Kosovës do ta ketë ushtrinë e vet.
“Ne jemi të vendosur që ta themelojmë këtë ushtri.

Themelimi i ushtrisë do të thotë t’i vendosim ndjenjat tona historike në shërbim të paqes në botë. Ne e shohim pavarësinë kur edhe ne i kontribojmë NATO-s dhe jo kur iu kërkojmë lëmoshë”, ka thënë para deçanasve Visar Ymeri.

Ai tha se po ashtu se qeverisja e Vetëvendosjes do të angazhohet që të marrim më shumë aty ku tashmë ka shumë dhe të japim më shumë aty ku ka nevojë më shumë.

Mollqaj: Vota për VV-në është votë për barazi e për zhvillim

Sekretari Organizativ dhe kandidati për deputet, Dardan Molliqaj, tha se në këto zgjedhje janë 2 koncepte, janë 2 grupacione, nga njëra anë janë partitë e pazareve nga ana tjetër është VV-ja me programin e saj.

“Përfaqësohen dy modele: nga njëra anë janë ata që nuk e futën UÇK-në në Kushtetutë, nuk i futën veteranët në Kushtetutë, por që i futën nëpër lista për t’u marrë votën në zgjedhje”, tha Dardan Molliqaj në këtë tubim.

Molliqaj tha se Vetëvendosje është për alternativën që dot ta bëjë Kosovën si Prishtinën, sepse Prishtina është zgjidhja dhe zhvillimi.

“Na akuzun se e prishëm opozitën e bashkuar. Po, sepse Ramush Haradinaj kërkoi që ne të shkonim me klanin Pronto në koalicion. Dhe ne i thamë jo”, ka thënë Molliqaj në fjalën e tij, teksa ka folur për jokonistencën e Haradinajt.

“Fitorja e VV-së e shpëton Kosovën. Por kësaj fitoreje nuk i shpëtojnë të korruptuarit, nuk i shpëtojnë kriminelat, nuk i shpëton SHIK-u. Vota për VV-në dhe Albin Kurtin kryeminsitër është votë për barazi, është votë për zhvillim”, tha kandidati për deputet Dardan Molliqaj.

Molliqaj po ashtu ka prezantuar kandidatë për deputetë të zonës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme