Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton shkarkimin e bordit të ShSKUK-së dhe emërimin e Shkretës

Prishtinë | 28 Mar 2020 | 15:14 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria në detyrë ka shkarkuar të premten Bordin Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se Bordi është shkarkuar se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë.

Gjithashtu sipas tij, nuk janë përmbushur as objektivat e përcaktuar, madje edhe bërë shkelje të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike si dhe rregulloren mbi Shpenzimet e Parasë Publike.

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës  në po të njëjtën mbledhje ka marruar edhe një vendim tjetër i cili parasheh shkarkimin e bordit drejtues të SHSKUK-së. Në po të njëjtin vendim poashtu janë emëruar edhe emrat e rinj, anëtarët e rinj të këtij bordi. Arsyetimi i këtij vendimi është dhënë në vendim të Qeverisë në detyrë të Kosovës i cili arsyetim bazohet mbi faktin se bordi nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e parapara dhe të përcaktuara në statutin  e ShSKUK-së dhe nuk ka arritur objektivat e parapara”.

“Në të njëjtën kohë ka pasur një menaxhim jo të mirë me shpenzimet duke mos i marr parasysh nevojat  e prioritetet e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës. Poashtu duke u bazuar në të gjeturat e zyrës së Auditorit të Brendshëm dhe poashtu edhe të auditorit kombëtar ne kemi gjetur që ky bord ka bërë shkelje të ligjit për Menaxhimin e Financave Publike si dhe rregulloren mbi Shpenzimet e Parasë Publike”.

Për anëtarin e VV-së Mirsad Shkretën, që u emëruar si pjesë e këtij bordi, Kryeziu tha se emërimi i tij është bërë në përputhje me Ligjin për Shëndetësi i cili e rregullon çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të Bordit Drejtues.

“Emërimi i zotri Shkreta është bërë në përputhje me Ligjin për Shëndetësi i cili e rregullon çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të Bordit Drejtues. Në nenin 64.3 të këtij ligji përcaktohen institucionet të cilave u kërkohet të delegohet nga një anëtarë i cili përfaqëson këto institucione. Pra propozimin për emërimin e bën secili institucion shëndetësor i paraparë në ligj në nenin 64.3 dhe  në listën e këtyre institucioneve është edhe Ministria e Shëndetësisë. Pra, në këtë drejtim MSh-ja ka bërë propozimin e saj në përputhje dhe në kuadër të ligjit për shëndetësi. Vendimi për anëtarët e rinj dhe funksionalizimin e ri të Bordit Drejtues të SHSKUK-së ka qenë i domosdoshëm duke qenë se bordi paraprak ka qenë jo funksional. Në krye të këtij bordi është vendosur Xhevat Jakupi që është një epidemiolog dhe profili i të cilit përshtatet për situatën që ne jemi  dhe për qëllimet që ne i kemi në luftën kundër pandemisë Covid-19”, tha Kryeziu

Qeveria ka emëruar Bordin e Ri në përbërje: Dr. Agreta Geca -Gashi, Qendra Klinike Universitare e Kosovës; Dr. Aida Rexhepi, Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Dr. Xhevat Jakup, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike; Dr. Diana Dafota, Spitali i Përgjithshëm Gjakovë; Dr. Sadete Hadri, Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor; Dr. Mirsad Shkreta, Ministria e Shëndetësisë dhe një ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.

Kryesues i Bordit Drejtues të ShSKUK është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1 vjeçar. 

Kryeziu paralajmëron edhe masa të tjera nga Qeveria për parandalimin e Coronavirusit

Në mbledhjen e djeshme Qeveria ka marrë vendim edhe për ndryshimin e orarit për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, si masë parandaluese ndaj Coronavirusit, raporton EO.

Kryeziu ka sqaruar se presin që ndryshimi i orarit, të jetë efikas dhe të gjejë zbatim nga qytetarët.  

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 17 ka marrë një vendim të ri sipas të cilit ka riirregulluar orarin e qarkullimit të lirshëm të qytetarëve dhe veturave private. Sipas këtij vendimi qytetarët e veturat private kufizohen të mos qarkullojnë nga ora 05:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes. Ky vendim i ri ka ardhur si rezultat i analizave të vazhdueshme nga institucionet të veshura me përgjegjësinë për zbatimin dhe monitorimin e masave dhe ne konsiderojmë që është në përgjigje të kërkesave në teren dhe situatës në teren. Si rezultat presim një efikasitet më të lartë nga ky vendim i ri i Qeverisë në detyrë”.

Ai ka sqaruar se janë në konsultim me të gjitha institucionet relevante për marrjen edhe të masave të tjera të domosdoshme në parandalimin e kësaj pandemie.

“Institucionet me përgjegjësinë e zbatimit dhe monitorimit të vendimeve dhe masave të Qeverisë bëjnë diskutime të vazhdueshme dhe vlerësime mbi këto masa, me qëllim që masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës të kenë efikasitet sa më të lartë në parandalimin e shpërndarjes së pandemisë Covid-19.”

“Jemi vazhdimisht në diskutime aktive me të gjitha institucionet edhe në të njëjtën kohë, diskutimet e frytshme me ekspertët e shëndetësorë sipas së cilave diskutime do të marrin çfarëdo lloj vendimi, i cili i përgjigjet situatës në terren dhe i cili ka për qëllim të adresojë shqetësimet e qytetarëve të Kosovës dhe shëndetit publik”.

Këto janë masat e marra nga Qeveria në mbledhjen e mbrëmshme, sa i përket kufizimit të lëvizjes:

 – Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00-06:00 përveç nevojave mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);

– Ndalohet qarkullimi i qytetarëve në zonat (sheshet) e hapura të qyteteve të Republikës së Kosovës, përveç banorëve të këtyre zonave dhe personave të autorizuar nga organet përkatëse;

– Barnatoret e licencuara në Republikën e Kosovës ushtrojnë veprimtaritë e tyre prej orës 06:00-17:00. Pas orës 17:00 veprimtaria e tyre do të organizohet përmes kujdestarisë. Barnatoret kujdestare do të përcaktohen nga Ministria e shëndetësisë/AKPPM  në koordinim me Odën e Farmacistëve të Kosovës (OFK) dhe komunat përkatëse/autoritetet komunale;

– Shkelësit e këtyre masave të përcaktuara me këtë Vendim do të ndëshkohen sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Të ngjashme