Zëvendësministri Xhemajlaj priti në takim një delegacion maqedonas

Prishtinë | 12 Pri 2018 | 15:26 | Nga

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherësh koordinator nacional për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (MIK), Isa Xhemajlaj, priti takim një delegacion nga Republika e Maqedonisë, të kryesuar nga koordinatori nacional për MIK, Ivan Pivovarov.

Në këtë takim u bisedua sa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve për të koordinuar veprimet sa i përket menaxhimit të integruar të kufirit dhe për vlerësuar praktikat e mira të dy vendeve sa i përket luftimit të krimit ndërkufitarë.

Me këtë rast zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, theksoi se pala kosovare është e gatshme për të ngritur bashkëpunimin mes dy vendeve me qëllim që të ngitet efikasiteti i kontrolleve të kufirit mes dy vendeve për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme.

Në cilësi të koordinatorit nacional për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, zëvendësministri Xhemajlaj së bashku me delegacionin e Maqedonisë vizituan Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit (QKMK). Ai tha se QKMK-ja është e vetmja në rajon në të cilën bashkërendojnë aktivitetet tri agjenci të zbatimit të ligjit, siç janë Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit.

“Ky është një mekanizëm efikas sa i përket luftimit të krimit ndërkufitar dhe ndihmon për raportim në kohë reale të rasteve të dyshimta me të gjitha format e komunikimit që janë në dispozicion”, theksoi zëvendësministri Xhemajlaj.

Ndërsa koordinatori nacional për Menaxhimin e Integruar të Kufirit i Republikës së Maqedonisë, Ivan Pivovarov, theksoi se qëllimi i institucioneve të Republikës së Maqedonisë është që në bazë të analizave në bashkëpunim me institucionet e Kosovës të ndërmarrin veprime konkrete sa i përket luftimit të krimit ndërkufitar.

Ai tha se është e rëndësishme që shohim përvojat e Republikës së Kosovës për të ndërtuar një koncept funksional të menaxhimit të kufirit me qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme