Zëvendësministri i MPB-së, Isa Xhemajlaj vizitoi pikën kufitare në Merdare

Prishtinë | 09 Nën 2018 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Isa Xhemajlaj, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, nga radhët e NISMA Socialdemokrate, ka vizituar sot pikën kufitare në Merdare për ti parë nga afër punimet që po zhvillohen në këtë pikë.

Në këtë vizitë, zv.ministri Xhemajlaj ka kritikuar Serbinë për mosbashkëpunim dhe për shkelje të marrëveshjes së Brukselit për pikat kufitare.

Zv.ministri Xhemajlaj në pikën kufitare në Merdare tha se në marrëveshjen e Brukselit për ndërtimin e pikave kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë janë ndërtuar objektet e reja dhe se pala kosovare tashmë është vendosur në objektet e reja por pala serbe nuk e kanë bërë një gjë të till.

“Me marrëveshje është dashur të ndërtohen tri pika kufitare në Kosovë dhe tri pika kufitare në Serbi, projekt të cilin e ka financuar BE dhe deri më tani pjesa serbe nuk ka kaluar në objektin e ndërtuar, pra janë ndërprere komunikimet që kanë pasur dy doganat” theksoi Xhemajlaj.

Duke i përmendur lehtësirat që janë krijuar me ndërtimin e kësaj pike kufitare Xhemajlaj ka kërkuar nga Brukseli që të bëjë presion karshi palës serbe për respektim të marrëveshjes.

“Brukseli nuk ka bërë presion ndaj qeverisë serbe për ndërtimin e pikave kufitare. Qeveria e Serbisë është e prirë për obstruksione dhe është i habitshëm fakti që Brukseli nuk ushtron presion. Ne Merdare janë krijuar lehtësi të mëdha dhe po të ishte bashkëpunuese edhe pala serbe do të bëhej një qarkullim i lehtë i njerëzve dhe i mallrave” tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme